SHBA, spiunazh në favor të Kinës

26/04/2012 00:00

Dy persona me kombësi taivaneze janë akuzuar për tentativë të eksportit të teknologjisë ushtarake amerikane në përfitim të qeverisë kineze.

Agjentë sekretë amerikanë kanë hetuar dy personat në fjalë nën dyshimin e trafikut të drogës që prej shkurtit të vitit 2011.

Por në vend të drogës, taivanezët u përpoqën të blinin dhe eksportonin teknologji ushtarake, përfshirë një avion të vogël të telekomanduar.

Autoritetet amerikane deklarojnë se dy personat deklaruan se kishin punuar për ndihmësin e një zyrtari të lartë të qeverisë kineze.

Prokurorët amerikanë ngritën të mërkurën në Njuark, të Nju Xhersit, akuzat ndaj Hui Sheng Shen, 45 vjeç, dhe Huan Ling Chang, 41.

Të pandehurit vepruan me qëllim në interes të Republikës Popullore Kineze dhe u përpoqën të blinin asete dhe informacione, që sipas tyre “do të dëmtonin Amerikën”, deklaroi akuza.

Avokatja e Huan Ling Chang deklaroi se klientja e saj ruajti pozicionin e pafajësisë, duke theksuar se: “Pret që të çlirohet nga të gjitha akuzat”. Ndërsa avokati i Hui Sheng Shen nuk bëri komente.

Sipas akuzës, Shen prezantohej si një ekspert i logjistikës, ndërsa Chang, njohëse e gjuhëve të huaja, prezantohej si mësuese shkollash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA