Pas Francës, edhe Turqia kërcënon Sirinë me luftë

26/04/2012 15:50

Pas Francës, edhe Turqia kërcënoi të enjten Sirinë me përdorimin e forcës, nëse një zgjidhje për krizën në vend nuk do të gjendet së shpejti.

Ditën e mërkurë, Ministri i Jashtëm i Francës, Alain Juppe, tha për herë të parë se “forca ndërkombëtare është një opsion”, për të detyruar qeverinë e Bashar al-Assad që të tërhiqet nga masakrat që realizon ndaj civilëve.

”Nëse Damasku do të krijojë trazira të reja në kufirin me Turqinë dhe shkelje të reja do të ndodhin, do të marrim masat të përshtatshme, si një vend sovran dhe një anëtar i NATO-s”, deklaroi kryeministri Erdogan.

Deklarata e Erdogan u bë gjatë një interviste eksluzive me rrjetin arab “Al-Jazira”. Në më shumë se një vit trazira në Siri, kanë qenë disa rastet në të cilat emigrantët janë sulmuar pranë kufirit të përbashkët apo në kampet e refugjatëve, në territorin turk.

”Turqia është një shtet me forca të fuqishme të armatosura. Siria duhet të ketë të qartë që në rast të dhunimit të ri të kufirit, reagimi ynë do të jetë shumë më i vendosur se më parë”.

Deklarata e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan erdhi në të njëjtën ditë në të cilën në Siri më shumë se 70 persona mbetën të vrarë në shpërthimet e qytetit të Hamës, ku beteja urbane vazhdon, pavarësisht armëpushimit në fuqi që prej mesit të prillit.

Franca: Përdorim forcën kundër Sirisë

Përfaqësuesi francez në Këshillin e Sigurimit në OKB deklaroi se një agresion ushtarak duhet të merret në konsideratë ndaj Sirisë, nëse plani i armëpushimit për të cilin është rënë dakord më parë do të dështojë.

Deklarata e së mërkurës është e para në llojin e saj, pasi më parë, të gjithë përfaqësuesit e vendeve me të drejtë vetoje kishin përjashtuar në mënyrë kategorike mundësinë e një ndërhyrje të stilit libian, ndaj qeverisë së Bashar al-Assad.

“Nuk mund dhe nuk duhet të lejojë që regjimi i Damaskut të na sfidojë”, deklaroi Ministri i Jashtëm i Francës, Alain Juppe. Pavarësisht se qeveria dhe kryengritësit ranë dakord më parë gjatë prillit për një plan që do t’i jepte fund konfliktit, përleshjet në qytet e mëdha janë duke i marrë jetën dhjetëra sirianëve çdo ditë.

Në bazë të planit, 300 vëzhgues të OKB-së duhet të vendosen në Siri brenda dy javësh dhe sipas Juppe, nëse nga raportimet do të verifikohet se asnjë armëpushim nuk po zbatohet në terren, atëherë komuniteti ndërkombëtar do të jetë i detyruar që të marrë parasysh mundësinë e një goditjeje ndaj Sirisë.

“Nëse plani i paqes do të dështojë, atëherë duhet të kalojmë në një fazë të re, duke aktivizuar kapitullin e shtatë të marrëveshjes, e cila lejon përdorimin e forcës, nëse nuk do të ketë asnjë mënyrë tjetër për të ndaluar këtë tragjedi”.

Megjithatë, sipas ekspertëve ndërkombërtarë, Sirisë nuk i kanoset asnjë rrezik i menjëhershëm, pasi është e qartë që Rusia dhe Kina, dy aleatët e mëdhenj të al-Assad, kanë bërë të qartë që do të vendosin veton ndaj çdo nisme të tillë ndërkombëtare.

Plani i paqes prej gjashtë pikësh, që është pranuar nga të dyja palët ndërluftuese, qeveria dhe kryengritësit, parashikon:

1) Proces politik për të adresuar aspiratat dhe shqetësimet e popullit sirian
2) Fundin e dhunës së armatosur në të gjitha format, nga të gjitha palët, për të mbrojtur civilët
3) Të gjitha palët të garantojnë kushtet për ndihmën humanitare në të gjithë zonat e prekura nga konflikti
4) Autoritetet të intensifikojnë ritmin dhe shkallën e lirimit të personave që janë burgosur në mënyrë arbitrare
5) Autoritetet të garantojnë lirinë e lëvizjes në të gjithë vendin për gazetarët
6) Autoritetet të respektojnë lirinë e grumbullimeve dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.

Liga Arabe: Të përshpejtohet dërgimi vëzhguesve

Liga Arabe kërkon nga Organizata e Kombeve të Bashkuara përshpejtimin e procesit të dërgimit të vëzhguesve në terren dhe i bën thirrje Damaskut zyrtar të mos pengojë misionin vëzhgues e të mos vendosë kushte për zbatimin e tij.

Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe zhvilluan një mbledhje të jashtëzakonshme në Kajro, ku kryetema ishte situata në Siri.

Ndër të tjera, në dokumentin e dalë nga ky takim, përvec kërkesës për përshpejtimin e procesit të dërgimit të vëzhguesve, Liga Arabe i thirrje Sirisë të mos ndëshkojë personat apo të afërmit e të gjithë atyre që kontaktojnë vëzhguesit apo që ndihmojnë ata në mbledhjen e informacionit për situatën në terren.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA