Argjentinë, miratohet vendimi për naftën

26/04/2012 08:45

Senati argjentinas ka miratuar vendimin kontrovers për të kombëtarizuar kompaninë e naftës “YPF”.

Planin që synon të spostojë kompaninë spanjolle “Repsol” nga kontrolli i “YPF” u njoftua javën e kaluar nga presidentja Cristina Fernandez de Kirchner.

Lëvizja është kritikuar nga Spanja dhe Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se mund ta dërgojë çështjen në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Megjithatë, plani u mirëprit në Argjentinë dhe pas aprovimit në Senat, propozimi do të dërgohet në Dhomën e Ulët për miratim të mëtejshëm.

Aleatët e zonjës Kirchner kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit dhe edhe disa deputetë të opozitës kanë mbështetur kthimin e kompanisë nga private në shtetërore.

“Projektligji i qeverisë nuk reflekton një vendim kapriçoz apo të rëndomtë”, deklaroi senatori i partisë në pushtet, Marcelo Fuentes për agjencinë e lajmeve “Reuters” para votimit.

“Është një rezultat që vjen nga nevoja për të kthyer parimet e tregut të lirë në politika efikase”, ka shtuar më tej ligjvënësi.

Disa vëzhgues kanë paralajmëruar se kombëtarizimi mund të ketë pasoja negative për investimet e huaja në Argjentinë, por presidentja insiston se lëvizja është e nevojshme për të reduktuar detyrimet shtetërore ndaj energjitikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA