Duket shumë e largët për ne, edhe pse gjithmonë jemi joshur nga filma e letërsi japoneze.

Duke nisur nga filmat vizatimorë, e deri tek serialet e famshme të transmetuara në Shqipëri si “Shogun”, në një farë mënyre jemi ndikuar gjithmonë nga kultura japoneze.

Pikërisht, për këtë arsye, emisioni i “Pasdites” i kushtoi një seri atyre shqiptarëve që dinë më shumë se shqiptarët e zakonshëm për këtë vend, atij grushti bashkëkombësish që kanë eksploruar nga afër ishullin superfuqi botërore.

Erinda Fino, e cila ka jetuar 6 vjet në Japoni, ku jepte mësim në anglisht, ka një pasion për atë vend që mund t’i lexohet në sy.

“Në fillim, përshtatja ishte e vështirë. Bashkëshorti u zhvendos atje për të realizuar masterin dhe doktoraturënn. Ishte një aventurë që nisi për dy vjet, por që zgjati në total gjashtë. Siç e përmenda ishte e vështirë dhe unë vajta në sezonin e shirave, sezon që zgjat një muaj e gjysmë pa pushim”, rrëfen Fino.

Megjithatë, mikpritja japoneze ia bëri të lehtë dhe të thjeshtë ambientimin në një kohë fare të shkurtër.

“Japonezët janë shumë të dashur, edhe pse nuk e shprehin. Ne për ta jemi të huaj, të ndryshëm dhe ata e adhurojnë lëkurën e bardhë, ndaj i pëlqejnë shumë europianët, kaukazianët e amerikanët, që i fusin në në të njëjtën kategori. Aq shumë na shohin në vendin e tyre, sa ndonjëherë vendosesha në siklet nga ngulitja e syve”.

Por, cili është kombinimi midis tradicionalesh dhe modernes në këtë vend ende enigmatik për shumicën e shqiptarëve? “Kanë një ndërthurrje perfekte midis tradicionalesh dhe modernes, por e ruajnë shumë veçantinë e tyre kulturore, madje me një fanatizëm të rrallë. Mikpritja japoneze ngjason me atë shqiptare, kur shkon tek një mik dhe je e ftuar, duhet të marrësh diçka, një ëmbëlsirë, një pije, fruta, siç e bëjmë ne. Sapo hyn heq këpucët, miku të pret me çajin jeshil dheëmbëlsirat e ëmbla, por pa yndyrrë që ata kanë. Në Japoni, ushqimi shijohet me pesë shqisa”.

Por, cila është origjina e shkopinjve me të cilët konsumohet ushqimi? “Në Kinë, përdorin hashit, siç quhet shkopinjtë. Ato ishin për të kapur ushqimin, ose për të kapur flokët. Duke qenë se ishte diçka praktike, edhe kjo kulturë u zhvendos në Japoni”, shtoi Fino.

Genti Beqiri, pedagog, ka kryer një master në Tokio dhe ishte shumë i gatshëm të ndante në “Pasdite” ato që ai di për Japoninë.

“Dikur, thonin që kombinimi perfekt është shpirti kinez, bashkuar me teknikën japoneze. Sot, në Japoni besojnë se ëshët shpirti europian, bashkuar me teknikën e tyre. Në Japoni, ndodh fenomeni që sa më e ngritur të jetë familja, aq më tradicionale është”, tha Beqiri.

Më pas, ai zbuloi se “një mik i imi shumë i mirë, është një albanolog dhe e ka vizituar shpesh Shqipërinë. Kur e pyeta për kulturën, më ka bërë përshtypje që vajza e tij ishte duke mbaruar doktoraturën në Hiroshima dhe e dinte që pas kësaj, do të mbyllej në shtëpi dhe do të shndërrohej në shtëpiake, pasi ky është roli i gruas në atë shoqëri dhe kujdesi ndaj familjes është shumë i rëndësishëm. Në një farë mënyrë, gruaja në Japoni është një lloj dhurate”.

E ftuar në studio ishte edhe Zonja Flutura Açka, një botuese e letërsisë japoneze. “Letërsia japoneze njihet pak, por ndonëse nuk kemi as përkthyes nga japonishtja, shkrimtari japonez ka arritur që gjithsesi të mbërrijë në tregun shqiptar nëpërmjet përkthimit nga gjuhë të dyta në të cilën është përcjellë. Kjo letërsi, me shkrimtarë të mëdhenj si Kavabata, por edhe shumë të tjerë, është unike në llojin e vet. Nëse ke lexuar një shkrimtar japonez, mund të kuptosh menjëherë çdo libër tjetër të kësaj letërsie. Pavarësisht endjes që mund të bëjnë shumë nëpër botë, ajo magjia dhe izolimi i veçantë i jetës në Japoni është i dukshëm në çdo fare”, tha Açka.

I ftuar në studio ishte edhe Ermir Nika, i cili ndonëse ka jetuar më pak se të ftuarit e tjerë në Japoni, është dashuruar aq shumë pas kësaj kulture, sa ka botuar edhe një libër, të titulluar “shënime mbi udhëtimin në Japoni”.

“Të gjithë dinë të mirat, por Japonia ka edhe disavantazhe të mëdha, si pozita e pafavorshme gjeografike, kostot e mëdha të transportit, resurset e pakta natyrore e popullata jo fort e madhe në krahasim me vendet e tjera të mëdha si Kina, SHBA e Rusia, ndonëse Japonia në vetvete është e mbipopulluar”, deklaroi Nika.

“Unë jetoja në një qytet që ka patur fatkeqësi në vitin 1995, pasi tërmeti i Kobes e shkatërroi pothuajse tërësisht këtë qytet. Megjithatë, vendi udhëhiqet nga një kod i veti i veçantë, i cili nuk është i shkruar, por që transmetohet brez pas brezi në aspektin moral, në besueshmërinë ndaj njëri-tjetrit apo në frymën e një Japonie të madhe”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA