Përfaqësuesi francez në Këshillin e Sigurimit në OKB deklaroi se një agresion ushtarak duhet të merret në konsideratë ndaj Sirisë, nëse plani i armëpushimit për të cilin është rënë dakord më parë do të dështojë.
Deklarata e së mërkurës është e para në llojin e saj, pasi më parë, të gjithë përfaqësuesit e vendeve me të drejtë vetoje kishin përjashtuar në mënyrë kategorike mundësinë e një ndërhyrje të stilit libian, ndaj qeverisë së Bashar al-Assad.
“Nuk mund dhe nuk duhet të lejojë që regjimi i Damaskut të na sfidojë”, deklaroi Ministri i Jashtëm i Francës, Alain Juppe.
Pavarësisht se qeveria dhe kryengritësit ranë dakord më parë gjatë prillit për një plan që do t’i jepte fund konfliktit, përleshjet në qytet e mëdha janë duke i marrë jetën dhjetëra sirianëve çdo ditë.
Në bazë të planit, 300 vëzhgues të OKB-së duhet të vendosen në Siri brenda dy javësh dhe sipas Juppe, nëse nga raportimet do të verifikohet se asnjë armëpushim nuk po zbatohet në terren, atëherë komuniteti ndërkombëtar do të jetë i detyruar që të marrë parasysh mundësinë e një goditjeje ndaj Sirisë.
“Nëse plani i paqes do të dështojë, atëherë duhet të kalojmë në një fazë të re, duke aktivizuar kapitullin e shtatë të marrëveshjes, e cila lejon përdorimin e forcës, nëse nuk do të ketë asnjë mënyrë tjetër për të ndaluar këtë tragjedi”.
Megjithatë, sipas ekspertëve ndërkombërtarë, Sirisë nuk i kanoset asnjë rrezik i menjëhershëm, pasi është e qartë që Rusia dhe Kina, dy aleatët e mëdhenj të al-Assad, kanë bërë të qartë që do të vendosin veton ndaj çdo nisme të tillë ndërkombëtare.
Plani i paqes prej gjashtë pikësh, që është pranuar nga të dyja palët ndërluftuese, qeveria dhe kryengritësit, parashikon:
1) Proces politik për të adresuar aspiratat dhe shqetësimet e popullit sirian
2) Fundin e dhunës së armatosur në të gjitha format, nga të gjitha palët, për të mbrojtur civilët
3) Të gjitha palët të garantojnë kushtet për ndihmën humanitare në të gjithë zonat e prekura nga konflikti
4) Autoritetet të intensifikojnë ritmin dhe shkallën e lirimit të personave që janë burgosur në mënyrë arbitrare
5) Autoritetet të garantojnë lirinë e lëvizjes në të gjithë vendin për gazetarët
6) Autoritetet të respektojnë lirinë e grumbullimeve dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.
Top Channel