CNN: Kriza po ringjall ekstremin e djathtë në Europë

25/04/2012 15:30

Rritja e dukshme e mbështetjes së Frontit Kombëtar në Francë, një parti ultranacionaliste dhe që kundërshton Bashkimin Europian e monedhën e përbashkët euro, ka tërhequr vëmendjen e publikut europian gjatë javës.

Megjithatë, një ditë pas zgjedhjeve të raundit të parë në Francë, refuzimi i buxhetit të paraqitur nga qeveria prej Partisë së Lirisë në Holandë, një përfaqësuese edhe ajo e ekstremit të djathtë, solli rrëzimin e koalicionit maxhoritar dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në një analizë të “CNN”, rrjeti amerikan vlerëson se ndonëse partitë ekstremiste janë ende larg marrjes së pushtetit, ato kanë fituar një mbështetje të atillë sa që janë shndërruar në një faktor shpesh thelbësor, në shumë vende europiane.

Dy kriza të ndryshme që nuk po marrin zgjidhje janë ato që po zgjerojnë radhët e rrymave ultranacionaliste në Europë, kriza financiare dhe ajo e emigracionit.

Si rrjedhojë, gjithmonë e më shumë banorë të kontinentit shprehin indinjatën e tyre duke përkrahur platforma gjithmonë e më radikale. Në Irlandë, Portugali, Spanjë, Greqi, Finlandë, Itali dhe Austri, partitë radikale që kundërshtojnë BE-në e monedhën euro po arrijnë në zgjidhje kuota rekord mbështetjeje, duke sinjalizuar tashmë atë që është bërë një tendencë e qartë dhe që është nënvizuar nga Kancerlarja Gjermane, Angela Merkel, si një kërcënim real për Europën e bashkuar.

Ndërkohë, njerëzit me kujtesë të fortë historike, nuk harrojnë se ndonëse në rrethanat dhe me një platformë krejtësisht të ndryshme nga radikalët e sotëm, edhe Adolf Hitleri erdhi në pushtet pas krizës më të thellë ekonomike që kishte njohur bota deri atëherë, Depresionit të Madh të viteve 1929-33.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA