Edhe pse është vendosur armëpushimi që nga data 12 prill, dhuna në Siri është në nivele të papranueshme sipas Kofi Annan, i dërguari ndërkombëtar për paqen.
I dërguari i posaçëm i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë theksoi se është i alarmuar për dhunën pas vizitës në qytetet siriane nga monitoruesit e Kombeve të Bashkuara.
“Situata është krejtësisht në kundërshtim me vullnetin e komunitetit ndërkombëtar. Jam i alarmuar nga raportimet se qeveria po qëllon mbi protestuesit në Hama. Nëse këto gjëra konfirmohen do të ishte e papranueshme”, theksoi Annan.
Përfaqësuesja e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, deklaroi se anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkojnë shtimin sa më të shpejtë të vëzhguesve në Siri.
Rice shpreson që brenda muajit të vijnë në Siri edhe 100 vëzhgues të tjerë.
Vetëm gjatë ditës së hënë aktivistët flasin për 70 të vrarë, shumica në qytetin e Hamës, një ditë pasi banorët e këtij bastioni të opozitës mirëpritën disa ushtarë të Kombeve të Bashkuara të dërguar për të vëzhguar zbatimin e armëpushimit të brishtë mes palëve kundërshtare të konfliktit tashmë një-vjeçar.
Top Channel