Jemi mësuar shpesh të dëgjojmë të flitet për krim në familje, por ngjarja që ka ndodhur pak kohë më parë në Itali është një krim i vërtetë mafioz në ambjentet familjare.
Kjo, pasi kanë qenë familjarët, babai, mamaja dhe vëllai që kanë shtyrë vajzën dhe motrën që të kryejë vetëvrasje, pasi kishte bashkëpunuar me drejtësinë.
Kështu, policia italiane ka arrestuar ditën e mërkurë 21-vjeçarin Giuseppe Cacciola, i cili kishte bindur më shumë se të tjerët motrën e tij Maria Concetta Cacciola që të vetëvritej.
Vetë Maria e ka kryer aktin pas kërkesave të vazhdueshme të familjes, duke gëlltitur një lloj acidi që i ka marrë jetën, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2011.
Giuseppe Cacciola është bllokuar nga karabinierët në rrethinat e Milanos, teksa dilte nga një qendër tregtare. Ndaj tij ishte shpallur një urdhër-arrest nga prokurorët e Palmit, në Kalabri prej nga vjen dhe familja.
Maria Concetta Cacciola, 31 vjeç, ishte e bija e kunatit të bosit Gregorio Bellocco, i konsideruar si një ndër eksponentët kryesorë të mafias kalabreze.
Me deklaratat e saj për prokurorët, vajza kishte zbuluar aferat kriminale të familjes së saj, duke i mundësuar policisë të arrestonte 11 anëtarë të saj si dhe të zbulonte bunkerët ku fshiheshin të kërkuarit nga drejtësia.
Klanet mafioze kalabreze janë të ndërtuara mbi baza familjare dhe pendimi i një anëtari është shumë i rrallë pasi i bie që ai të tradhtojë gjakun e tij.
Top Channel