Siri, 70 të vrarë në një ditë

24/04/2012 20:10

Një shtim i beftë i bilancit të viktimave të rebelimit në Siri ka hedhur hije të reja dyshimi mbi efektshmerinë e planit te paqes së Kofi Ananit.

Aktivistët flasin për 70 të vrarë vetëm gjatë ditës së hënë, shumica në qytetin e Hamës, një ditë pasi banorët e këtij bastioni të opozitës mirëpritën disa ushtarë të Kombeve të Bashkuara të dërguar për të vëzhguar zbatimin e armëpushimit të brishtë mes palëve kundërshtare të konfliktit tashmë një-vjeçar.

Forcat siriane, sipas tyre, sulmuan Hamën mëngjesin e së hënës duke hedhur granata në lagjen Arbain, duke shkatërruar shtëpi dhe duke qëlluar me armë automatike.

Numri i viktimave të sulmit nuk mund të konfirmohej nga burime të pavarura. Një ekip i vogël vëzhguesish paraprakë të OKB-së kishte vizituar qytetin Hama të dielën dhe anëtarët e tij u përshëndetën nga protestuesit të cilët hodhën parulla kundër presidentit sirian Bashar al-Asad.

Zëdhënësi i vëzhguesve të OKB-s tha se tre anëtarë të tjerë iu bashkuan ekipit dje, duke e ngritur numrin e tyre në 11. Por, Shtetet e Bashkuara mendojnë se misioni monitorues i kombeve të bashkuara në Siri është i rrezikshëm dhe se ngjarjet e Sirisë, dëshmojnë më së miri se regjimit atje nuk mund t`i zihet besë.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga OKB-ja hyri në fuqi në 12 prill, por edhe pse që atëhere niveli i dhunës në vend ka rënë ndjeshëm, qeveria e Bashar al-Asadit është akuzuar vazhdimisht për shkeljen e kushteve të planit te paqes, përfshirë këtu tërheqjen e të gjithë forcave ushtarake nga zonat urbane dhe lejimin e demonstratave paqësore. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA