Kandidati socialist për president në Francë, Francois Hollande, synon edhe ai të grumbullojë një përqindje sa më të lartë nga votuesit e ekstremit të djathtë, të cilët pritet të rezultojnë përcaktues në përcaktimin e fituesit të raundit të dytë të zgjedhjeve.
Të hënën, presidenti aktual, Nicolas Sarkozy, i bëri një thirrje votuesve të Marine le Pen që të mbështesin platformën e tij, e cila ka përfshirë në të shumë elementë të përkrahura nga ultranacionalistët, përfshi rregulla më të ashpra për emigracionin.
Megjithatë, në një deklaratë gjatë së martës, Hollande pretendoi se shumë të majtë kanë votuar për Frontin Kombëtar të le Pen për shkak të “zemërimit të tyre social”, prandaj i adresoi një thirrje që të mbështesin platformën e tij për ndryshim.
Ndërsa Hollande ka ndjekur një rrugë më pak agresive ndaj emigracionit, platforma e tij gjithashtu tërheq ekstremin e djathtë me premtimin për të rishikuar traktatin e Eurozonës, të mbështetur fuqimisht nga administrata aktuale.
”Është e qartë që një pjesë e elektoratit të le Pen ka ardhur nga e majta dhe ata duhet të bashkohen me anën që garanton proges, barazi, ndryshim, më shumë përpjekje për drejtësi dhe që kundërshton privilegjet, globalizimin dhe kapitullimin e Europës. Është detyra ime që t’i bind se janë të majtët ata që mbrojnë më mirë vlerat e Francës dhe vizionit të Frontit Kombëtar”, deklaroi socialisti Francois Hollande.
Në një deklaratë të dhënë pothuajse në të njëjtën kohë, Sarkozy tha në një televizion kombëtar se është pikërisht projekti i tij për Francën e së ardhmes ai që ka dëgjuar më shumë mbështetësit e Frontit ultranacionalist.
Në raundin e parë të zgjedhjeve në Francë, Hollande dhe Sarkozy siguruan kalimin në balotazhin që do të përzgjedhë presidentrin e ardhshëm, duke grumbulluar përkatësisht 28,6% dhe 27,1% të votave.
Megjithatë, zgjedhjet ishin veçanërisht të suksesshme për ekstremin e djathtë të le Pen, që grumbulloi mbi 18% të votave, duke dëshmuar kështu për një ringjallje të rëndësishme të lëvizjes dhe duke u renditur si forca e tretë më e madhe në vend.
Paraqitja edhe më e mirë se sa ishte parashikuar nga sondazhet, bëri që Kancelarja Gjermane, Angela Merkel dhe kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, të paralajmëronin nga rreziku që vjen nga përkrahja e lëvizjeve populiste dhe nacionaliste, në kohën kur ecet për të thelluar gjithmonë e më shumë lidhjet e një Europe të bashkuar.
Nga ana e saj, le Pen u shpreh e inkurajuar nga keto deklarata, duke argumentuar se dëshmon për efikasitetin e lëvizjet e saj.
Top Channel