James Murdoch, ish-kreu i “News International BSkyB”, pjesë e rrjetit mediatik të ngritur nga babai i tij, Rupert Murdoch, u paraqit para drejtësisë britanike për të dëshmuar në lidhje me skandalin e përgjimeve.
Rreth një muaj më parë, James Murdoch dha dorëheqjen nga posti i tij pas akuzave të ngritura nga hetuesit britanikë se ai ishte vënë në dijeni të përgjimeve në vitin 2010 me anë të një mesazhi në postën e tij elektronike.
Në dëshminë e tij të parë, J. Murdoch deklaroi se nuk ishte vënë asnjëherë në dijeni të përgjimeve të paligjshme dhe se mendonte që përgjimet i përkisnin së shkuarës.
Ndërkohë, të mërkurën, po për të njëjtën cështje, do të dëshmojë babai i tij, Rupert Murdoch.
Skandali i përgjimeve nis që nga viti 2006, kur gazetarë të News Of The World me ndihmën e dedektivëve privatë përgjonin ilegalisht postën elektronike, telefonatat dhe mesazhet telefonike të dhjetra personave që shfaqnin interes për publikun.
Viktimë e përgjimit dyshohet se kanë qenë edhe vetë pjesëtarë të familjes mbretërore dhe disa zyrtarë të lartë të qeverisë së ish-kryeministrit, Gordon Brown, përfshirë këtu edhe ministra.
Skandali nisi të zbardhej verën e 2010-s dhe një vit më vonë, në 10 korrik të 2011-s, pas shumë provash të siguruara nga hetuesit, News Of The World vendos të mos dalë më në treg, duke i dhënë fund 168 viteve histori.
Top Channel