Kinë-Rusi, stërvitje e përbashkët ushtarake

22/04/2012 10:30

Flotat detare kineze dhe ruse kanë nisur një stërvitje të përbashkët në ujrat e Detit të Verdhë, në brigjet lindore kineze, raportuan të dielën mediat e të dy vendeve.

Në stërvitje u simuluan operacione anti-nëndetëse dhe shpëtimi i anijeve të marra peng. Kjo është hera e parë që të dy vendet realizojnë një stërvitje të tillë, ndonëse që prej vitit 2005 ka pasur katër bashkëpunime të ndryshme.

Dy prej ushtrive më të fuqishme në botë bashkohen për t’i dhënë eksperiencë njëra-tjetrës në një moment veçanërisht delikat, ndërsa tensioni në Azi është i lartë, për shkak të përplasjes së pretendimeve territoriale të deri gjashtë vendeve njëkohësisht për disa ishuj të diskutueshëm në detin e Kinës Jugore.

Një javë më parë, SHBA dhe flota filipinase nisën një stërvitje të përbashkët, vetëm disa ditë pasi kryqëzori më i madh i flotës filipinase u detyrua të kthehej mbrapsht, nga dy luftanije kineze, ndërsa po lundronte në ujrat pranë një ishulli të pretenduar nga të dy vendet.

Sipas një deklarate zyrtare të Pekinit, stërvitja e përbashkët 6-ditore ka si qëllim “të nxisë klimën e bashkëpunimit, të stabilitetit dhe paqes në rajon”.

Megjithatë, për ekspertët është e qartë se stërvitjet në të vërtetë përbëjnë një kundërpërgjigje të fortë, ndaj ndërhyrjes së padëshiruar amerikane në zonë, për të cilën autoritetet kineze kanë shprehur mosaprovim të fortë edhe më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA