Hetimi për rrëzimin e “Boeing”-ut

22/04/2012 11:25

Inspektorët e aviacionit civil janë duke hetuar në Pakistan shkaqet që sollën përplasjen me tokën të një Boeing 737 të “Air Bhoja”, në fazë ulje në aeroportin e Islamabadit, më parë gjatë javës.

Të gjithë pasagjerët dhe antarët e stafit, në total 127 persona, gjetën vdekjen në këtë aksident, ndërsa një numër i pacaktuar banorësh të fshatit ku u përplas avioni gjithashtu janë konfirmuar të vdekur.

Trupat e shpëtimit kanë arritur të identifikojnë 72 trupa, shumica tejet të dëmtuar, ndërsa për të identifikuar të gjithë mbetjet njerëzore do të duhen teste të detajuara gjenetike.

Copat e shkatërruara të avionit janë shpërndarë në një rreze prej disa kilometrash nga forcat e impaktit, ndërsa për momentin, kushtet e vështira atmosferike dhe një avari e mundshme në motorë janë dy arsyet e konsideruara si më të mundshmet për këtë aksident.

Në një konferencë për shtyp gjatë së dielës, Nadeem Khan Yousafzai, kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil në Pakistan, bëri me dije se: “Aeroplani ndodhej në një lartësi prej 2 900 këmbësh (880 metrash), kur për një arsye të pashpjegueshme, shkoi me hundë për poshtë dhe u përplas me tokën brenda disa sekondash. Një avari në motor është një arsye që ne po e hetojmë”.

Nuk dihet se sa ndikim ka patur moti i keq në këtë aksident, por hetuesit Arshad Mahmood pranoi se kushtet nuk ishin aspak të favorshme për një ulje.

“Koha ishte shumë e keqe. Piloti humbi kontrollin dhe u përplas në tokë si një meteor. Megjithatë, një stuhi, sado e fortë që të jetë, nuk duhet të rrëzojë një aeroplan të këtyre përmasave”, deklaroi Mahmood.

Nën hetim është edhe vetë kompania që operonte avionin 27-vjeçar, tepër i vjetër për standartet e aviacionit. Zyrtarët e kompanisë janë penguar që të largohen nga Pakistanit, deri në zbulimin e plotë të detajeve të këtij aksidenti tragjik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA