Mediat belge spiunojnë zgjedhjet në Francë

21/04/2012 02:30

Dy ditë përpara Zgjedhjeve Presidenciale në Francë, anketimet tregojnë se socialisti Francois Hollande mund të ketë epërsi të lehtë përgjatë gjithë ditës, por frika për një rrjedhje ilegjitimite të të dhënave të votimit përpara mbylljes së qëndrave në rang vendi, ka shtyrë zyrtarët francezë të vendosin rregulla të ashpra në këtë drejtim.

Për hartuesin e sondazheve, Jerome Sainte Marie të institutit francez CSA, anketimet e fundit, ato të së premtes, janë të qarta.

“Renditja përfundimtare e kandidatëve është kjo: Francois Hollande kryeson me 28% të votave, Nicolas Sarkozi e ndjek në vend të dytë me 25 %, pra diferenca është 3 % dhe nuk duhet neglizhuar, pastaj goxha larg pozicionohet Marine Le Pen me 16%, Jean Luc Melechon dhe në fund Francois Bayrou. Pozicionimi i pesë prej kandidatëve është pak a shumë i qartë, dhe nëse nuk ndodh ndonjë cudi, Hollande dhe Sarkozi janë ata që kualifikohen për raundin e dytë”, tha Jerome Sainte Marie, instituti CSA.

E megjithatë, frika se rezultatet paraprake mund të rrjedhin nëpërmjet medias është e madhe. Shtypit francez, ligji ia ndalon rreptësisht një gjë të tillë, por në të kaluarën ka ndodhur që francezët t’i mësojnë nga mediat e huaja cfarë ndodh me votat e tyre.

Pesë vjet më parë, gazeta më e madhe në gjuhën frënge e Belgjikës, “Le Soir”, publikoi në uebsite-n e saj rezultatet në kohë reale dhe duket se të njëjtën gjë, ka ndërmend ta bëjë edhe këtë vit.

“Përpara 5 vjetësh, ne i publikuam rezultatet e para online, atëherë kur ishim të bindur se informacionet tona ishin tq sakta. Në të njëjtën mënyrë do t`i trajtojmë edhe informacionet që do të marrim këtë vit: rezultatet do të verifikohen e do të hidhen në internet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Yurek Kuczkieëicz, Kryeredaktor i  “Le Soir”.

Autoritetet në Francë, që ndaluan rreptësisht publikimin e exit-polleve përpara fundit të së ashtuquajturës embargo zgjedhore në 8 të mbrëmjes me orën lokale, paralajmëruan mediat e huaja se do të kryejnë shkelje nëse vendosin t’i afishojnë rezultatet përpara se ato të jepen në Francë.

Por botuesit e “Le Soir” thonë se është jashtë logjikës të presësh që shtypi i huaj të respektojë ligjet franceze. Ne do të bëjmë punën tonë, shprehen ata, me korrektësi, profesionalizëm dhe konform legjislacionit belg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA