Peshën e rëndë të krizës që po kalon Greqia po e ndjen çdo ditë e më shumë edhe Kisha Greke. Si pjesë e pandarë e shtetit, qysh prej viteve 50, ajo i ka dhënë për shfrytëzim një pjesë të mirë të pasurisë së saj të patundshme shtetit, në këmbim të pagave të klerikëve.

Por tashmë edhe ajo është e detyruar t’u nënshtrohet kushteve të trojkës për reduktimin e rrogave dhe shpenzimeve. Kështu armata e më shumë se 10.000 klerikëve grekë që i kushtojnë shtetit gati 200 milion euro në buxhetin e mbingarkuar të vendit, tashmë bëhet problematike për qeverinë e këtij shteti, ku 95 përqind e qytetarëve janë të krishterë të besimit ortodoks.

“Unë kam trajnuar dhe kam bërë dhjak një vit më parë një djalë të ri . Por ai ende nuk ka marrë asnjë pagë. Çështja e pagave të klerikëve është një problem i madh. Nuk e di se si kisha do e përballojë këtë në të ardhmen dhe nuk di nëse shteti do të bashkëpunojë për këtë çështje”, thotë Atë Ignatios nga kisha e Shën Gjergjit në Athinë

Shumë prej mitropolive kanë filluar reduktimin e shpenzimeve operative, në mënyrë që paratë nga bamirësitë t’i shfrytëzojnë për ushqimet ndaj ushtrisë gjithnjë e në rritje të të pastrehëve dhe të të varfërve.

“Shteti nuk mund të na ndihmojë. Më parë na ndihmonte pak, por për gjëra minimale. Çdo gjë e bëjmë vetë. Priftërinjtë, njerëzit, vullnetarët, të gjithë së bashku edhe me donatorë të ndryshëm që kemi”, rrëfen Ate Ignatios.

Por shpeshherë kisha është bërë edhe objekt kritike me akuzën se pavarësisht të ardhurave të mëdha, paguan shumë pak taksa dhe detyrime ligjore për pronat e saj, që thuhet se janë gati 10% e sipërfaqes tokësore të Greqisë.

Vetë kryepeshkopi Jeronimos që para disa muajsh ka dhënë urdhër për mbylljen e kanalit radiofonik të kishës pas 23 vjet transmetimi, ka deklaruar se taksat që janë paguar në vitin e kaluar janë më shumë se 12.6 milion euro.

Ndërkohe shumica e kishave tashmë nuk restaurohen, reduktime janë bërë në pagesat për ngrohjen e ambjenteve, ndërsa edhe blerjet e qirinjve në Pashkët e fundit ishin gati 40 % më pak se vitin e kaluar.

Klerikët grekë po mendojnë për burime alternative të ardhurash nga panairet e turizmit fetar, sidomos në Rusi,vendi më i madh ortodoks në botë, apo dhënien me qira të pronave, për ndërtimin e paneleve të energjisë diellore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA