Gjermania ka vendosur të dërgojë trupa ushtarake shtesë në Kosovë, pas incidenteve të fundit të regjistruara në veri dhe në prag të zgjedhjeve serbe, të cilat kanë rritur tensionet.
Lajmin e bën të ditur e përjavshmja gjermane “Der Spiegel”, sipas të cilës 550 ushtarë do të dërgohen në kuadër të misionit të KFOR-it, para datës 6 maj.
Gjithashtu, trupa shtesë në Kosovë do të dërgojë edhe Austria, rreth 150, për shkak të shqetësimeve se situata në zonën problematike të Kosovës mund të përkeqësohet.
“Der Spiegel” shton më tej se njësitë e reja ushtarake do të instalohen më 1 maj. Aktualisht në Kosovë veprojnë 5800 ushtarë të misionit të NATO-s, ku trupat gjermane përbëjnë pjesën dërrmuese.
Së fundmi, pas incidenteve anti-shqiptare të regjistruara në veri, KFOR, në bashkëpunim me EULEX-in ka rritur patrullimet në këtë zonë.
Pak ditë më parë, komandanti i trupave të KFOR-it, Erhard Drews u kërkoi autoriteteve kosovare që të mos ndërmarrin një aksion si ai i 25 korrikut pas ngjarjeve të fundit në veri.
Duke kujtuar pasojat e atij operacioni, Drews u bëri thirrje institucioneve të Prishtinës që që të tregohen të përmbajtura dhe të veprojnë me maturi.
Sa për zgjedhjet lokale serbe, Beogradi zyrtar nuk ka dalë ende me një qëndrim të qartë. Përfaqësuesit e tij herë kanë thënë se do respektojnë vendimin e UNMIK-ut, herë se Prishtina nuk e ndalon dot proçesin elektoral.
Top Channel