Vetëm një në dhjetë serbë do të pranonte antarësimin e vendit të tij në NATO, ndërsa më shumë se 70% shprehen kategorikisht kundër kësaj mundësie.
Lajmi u publikua të premten në faqet e së përditshmes “B92”, pas një anketimi të detajuar të kryer në vend.
Ndonëse një votë hipotetike kundër ishte e pritshme, një përqindje kaq e lartë refuzimi tregon qartë se plagët e bombardimeve gjatë Luftës së Kosovës nuk janë mbyllur ende, ndërsa serbët konsiderojnë aleancën ende si përgjegjëse për shumë probleme ekonomike, politike e sociale, që prej vitit 1999.
Të pyetur se si do të votonin nëse do të realizohej një refendum për anëtarësimin në NATO, mbi 70% e serbëve u shprehën kundër, 15,4% deklaruan se nuk do të paraqiteshin dhe vetëm 10,8% do të votonin pro. Shifra e të pavendosurve llogaritet në vetëm 3,5%.
Në të njëjtën kohë, më pak se 5% e serbëve të intervistuar shprehen se kanë besim në këtë aleancë ushtarake. Mbështetësit e Partisë Radikale Serbe dhe të Partisë Demokratike të Serbisë janë edhe ata që kundërshtojnë më shumë antarësimin në NATO, me 98% dhe 95% refuzime, përkatësisht.
Përsa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian, sondazhi tregoi se vendi është i përçarë, me 49% që e përkrahin atë dhe 51% që janë kundër.
Top Channel