Sindikalisti kosovar Hasan Abazi është liruar nga autoritetet serbe, pasi është paguar një garanci financiare prej 20 mijë eurosh në gjykatën e Vranjës.
Lajmin e bën të ditur “REL” që citon të birin e sindikalistit Haki Abazi, i cili ka saktësuar se garancia është paguar nga familja.
“Sot, rreth orës 12, ai është liruar nga burgu pasi kemi paguar gjobën. Atë e ka paguar familja. E gjithë kjo është bërë në bazë të proçedurave të përcaktuara nga gjykata”, ka thënë Haki Abazi.
Hasan Abazi, nga Ferizaj, u arrestua më 28 mars nga autoritetet serbe në Konçul, në bazë të një urdhër-arresti për spiunazh të lëshuar nga prokuroria e Gjilanit.
Autoritetet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i dërguan një seri notash proteste qeverisë serbe, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
Ndërkohë, nga i njëjti burim mediatik mësohet se në orët e pasdites Abazi ka mbërritur në Kosovë, i shoqëruar nga një automjet i policisë së misionit EULEX, që e kishte marrë që nga kufiri me Serbinë.
Top Channel