Autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë ngritur akuza ndaj dy ish-ministrave të Kulturës, nën dyshimin e shpërdorimit të detyrës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë prokuroria e Prishtinës, e cila në një komunikatë për shtyp ka saktësuar se Astrit Haraçija dhe Valton Beqiri dyshohen se kanë nënshkruar kontrata abuzive.
Sipas njoftimit për mediat, Haraçija akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke nënshkruar kontrata të paligjshme me kompanitë kinematografike “Concordia Pictures” dhe “Morina Films”.
Ndërsa Beqiri, ndonëse ka qenë në dijeni se kontratat në fjalë kanë qenë të paligjshme, ka vijuar bashkëpunimin me “Morina Films”.
Nën akuzë kanë përfunduar edhe pronarët e këtyre kompanive, Nehat Fejza dhe Armond Morina, të cilët dyshohen për ushtrim të korrupsionit.
Ish-ministrat Beqiri dhe Haraçia kanë qenë deputetë të LDK-së dhe kanë shërbyer në dy ekzekutive. Aktualisht Haraçia mban postin e zëvendësministrit të Financave.
Top Channel