Drejtori për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec ka paralajmëruar se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe se për zgjidhjen e saj nuk duhet përjashtuar asnjë alternativë.

“Situata është shumë e rrezikshme. Qeveria në Kosovë duket se nuk është në gjendje, dhe në fakt nuk është, që të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj, sidomos atyre shqiptarë, në pjesën veriore të vendit të kontrolluar nga serbët. Dhe kjo situatë po krijon një presion ndaj qeverisë, që duket pothuasje i papërballueshëm nga popullata, media dhe opozita”, ka deklaruar Prelec.

Duke folur në një intervistë për “VOA”, ai është shprehur kundër opsionit të përsëritjes së “25 korrikut”, veprim që sipas tij do të përkeqësonte më tej situatën.

“Ka një presion të madh për ta, pothuasje një tundim, për të vepruar në një mënyrë që do ta acaronte situatën. Të gjithë zërat për një tjetër 25 korrik janë një shenjë e rrezikshme dhe mendoj se tregon se ne nuk duhet të lejojmë që situata në veri të mbetet e pazgjidhur përgjithmonë”, ka nënvizuar Prelez.

Zyrtari i GNK-së ka vlerësuar më tej se është urgjente që Prishtina dhe Beogradi të diskutojnë për veriun dhe që përfaqësuesit e kësaj zone të përfshihen në bisedime.

“Prandaj është urgjente që qeveritë e Serbisë dhe Kosovës të flasin për marrëdhëniet e tyre, për shumë çështje, përfshirë edhe veriun, sepse këto çështje janë të pandashme”, ka theksuar Prelec.

Sipas tij, ka vullnet nga ana e Beogradit për të folur për zbatimin e planit “Ahtisaari” dhe ekziston ndërkohë vullneti në Prishtinë për të diskutuar përtej këtij plani, si dhe për të ofruar disa privilegje të tjera për veriun.

“Por të dyja këto janë të kushtëzuara nga ato që secila nga palët do që të marrë nga tjetra. Konkretisht, që Prishtina të pranojë të flasë për një status të veçantë për veriun, asaj do t’i duhet të shohë që Beogradi ka vullnetin të normalizojë marrëdhëniet dhe të ndërmarrë hapa drejt njohjes. Pra, ka nevojë për një dialog politik. Do të jetë fillimi i një proçesi të gjatë, por duhet filluar tani”, ka shtuar Prelec.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA