Ambasada e SHBA-së, BE-së si dhe zyrat e NATO-s dhe OSBE-së në Shkup, të mërkurën kanë dënuar vrasjen e pesëfishtë që ndodhi javën e kaluar dhe i kanë dhënë mbështetje Qeverisë për të vazhduar hetimet.

Përfaqësitë e huaja diplomatike u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të qëndrojnë të qetë, të përmbahen nga spekulimet apo pohimet e pabazuara, dhe të tregojnë durim për rrjedhjen e procesit hetimor.

Ndërkohë, disa media në Shkup të mërkurën kanë plasur informata të pavërteta se gjoja policia ka arrestuar katër shqiptarë lidhur me vrasjen e javës së kaluar, dy prej të cilëve janë nga Kosova. Mirëpo këto informacione janë demantuar nga Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

“Janë spekulime dashakeqija, tendencioze dhe joprofesionale. Mendoj se gazetarët që po ndjekin vazhdimisht konferencat e policisë kanë raportuar në mënyrë korrekte për këtë ngjarje. Por për fat të keq janë publikuar edhe opinione të pabazuara e që provokojnë situatën”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendëshme.

Jankullovska ka thënë se policia posedon indikacione të bazuara për numrin e personave që kanë kryer vrasjen, mirëpo atë numër nuk ka dashur ta publikojë.

“Kemi supozime për numrin e personave që kanë kryer këtë vepër, por edhe ky është një informacion të cilin nuk mund ta ndajmë me publikun, sepse do t’u jepte autorëve sinjalin që jemi vërtet në gjurmët e tyre”, shtoi Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendshme.

Kryeshefja e policisë, Gordana Jankullovska paralajmëroi edhe ngritjen e padive penale kundër disa pjesëmarrësve në protestat e dhunshme të së hënës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA