Një grup organizatash të Shoqërisë Civile shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me trajtimin e çështjes së zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, si një çështje thjesht politike.
Ato rekomandojnë konsensus dhe përfshirje më të gjërë, bashkëpunimi dhe trasparencë më të madhe gjatë kësaj procedure.
Në një deklaratë të përbashkët thuhet se Kreu i Shtetit përfaqëson unitetin e popullit, ndaj e bën të domosdoshme frymën e mirëkuptimit dhe të dialogut konstruktiv gjatë këtij procesi.
“Klasa politike, pa dyshim ka një rol të rëndësishëm në këtë proces, por e shikojmë të nevojshme të theksojmë se zgjedhja e kryetarit të shtetit nuk mund dhe as nuk duhet të jetë monopol i partive politike parlamentare. Konsensusi i gjerë për zgjedhjen e Presidentit, si dhe diskutimi e konsultimi me grupe të ndryshme shoqërore, si ato të sektorit akademik, të shoqërinë civile, specialistë të shquar të medieve, organizatat e profesionistëve etj., do ta bënin më gjithëpërfshirës dhe transparent këtë proces”, vijon deklarata .
Përfaqësuesit e 10 organizatave thotë se Presidentin e presin sfida të rëndësishme, të cilat lidhen me zhvillimin e vendit dhe zgjerimin e demokracisë, rritjen e mirëqenies së shtetasve, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin e vendit në strukturat evropiane.
Top Channel