Data 6 maj mund të jetë një ditë fatale për euron. Ky është titulli i një analize të revistës ekonomike gjermane ‘Fokus’, e cila lidh frikën e saj me zgjedhjet në Francë dhe sidomos me ato në Greqi që zhvillohen pikërisht në këtë datë.
Shpërbërja e eurozonës rishfaqet kësaj here përsëri si alternativë e mundshme nga analisti gjerman, sipas të cilit zgjedhjet në këto dy vende, marrin një kuptim tepër të rëndësishëm, sepse do të përcaktojnë fatin e planeve të shpëtimit dhe si rrjedhim të ardhmen e monedhës së përbashkët.
Artikullshkruesi komenton se fitorja e socialistit Holland do të shkaktojë vetëm një turbullirë në tregjet financiare, por votimi në Greqi është i një rëndësie jetike sepse dy partitë e mëdha PASOK dhe Demokracia e Re që kanë premtuar zbatimin e reformave ndaj Brukselit, duket se nuk mund të përqëndrojnë as minimumin e duhur prej 36% të votave në mënyrë që të formojnë një qeveri koalicioni.
Pyetja që shtrohet është se çfarë do të ndodhë në këtë rast sepse dhe shmangia më e vogël nga programi i reformave nuk do të pranohet nga huadhënësit e Greqisë. Nëse përshkallëzohet situata sërish, pavarësisht nga përpjekjet për izolimin e krizës brenda Greqisë, ajo do të përhapet dhe në vende të tjera me deficite buxhetore dhe mekanizmi europian i mbështetjes do të arrijë në kufijtë e tij.
Në artikull theksohet se pavarësisht se falimentimi u shmang, zemërimi i grekëve ndaj reduktimit të rrogave është i madh, papunësia po shkon në 22%, ndërsa në radhët e të rinjve po i kalon 50%. Artikulli mbyllet me citimin e një deklarate kuptimplotë të ministrit grek të Financave, Filipos Sahinidhis, të cilën e përdorin tashmë dy partitë e mëdha, se vota e protestës ndaj masave shtrënguese çon në pasiguri për të ardhmen dhe destabilizim politik të vendit që interpretohet si dalje e sigurtë e Greqisë nga BE dhe Eurozona.
Top Channel