E pyetur nga TCH se si shpjegohet mungesa e deklaratave dhe qëndrimeve të Brukselit në lidhje me vrasjen dhe incidentet e javëve të fundit në veriun e Kosovës, Maja Koçijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë Catherine Ashton u përgjigj se ka pasur disa qëndrime, para se të shpaloste atë të radhës për zhvillimet në vend.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e PJPLS Catherine Ashton:

“Ne kemi komentuar dhe e kemi bërë këtë nga disa nivele të ndryshme, nga këtu e deri në terren. Ju e dini se ne kemi të dërguarin e posaçëm, njëkohësisht kreu i Misionit të BE-së, si dhe EULEX-in atje dhe të gjithë kanë qenë shumë aktivë dhe e kanë bërë shumë të qartë se cili është qëndrimi ynë. Ne po i marrim shumë seriozisht zhvillimet e fundit dhe po i ndjekim nga shumë pranë. Ju përmendët humbjen e jetës, dhe ne shprehim keqardhje për humbjen e jetës në Kosovën Veriore. Ne dënojmë gjithashtu incidente të kësaj natyre dhe ajo që e kemi thënë me këmbëngulje është se të dyja palët duhet të tregojnë vetëpërmbajtje, të sillen me përgjegjësi dhe të vazhdojnë të punojnë me bashkësinë ndërkombëtare. Ne besojmë se tensionet dhe provokimet që ne po shohim nuk i përputhen frymës së procesit të dialogut, por as frymës së integrimit evropian që kanë zgjedhur të dyja palët. Zotimi i të dyja palëve për t’u angazhuar në dialog tregon gjithashtu se ata dëshirojnë të përpiqen të zbusin dallimet në terren, në interes dhe për të mirën e qytetarëve. Dhe ne vazhdojmë të punojmë me të dyja palët për t’i parë të zbatuara të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog”.

Në faqen zyrtare të Përfaqësueses së lartë Catherine Ashton deklarata e fundit nga Brukseli për Kosovën është ajo e ndërmjetësuesit Robert Cooper, i cili dënonte më 5 prill gjuajtjen me gurë të një delegacioni serb që ndodhej në Prishtinë në kuadër të procesit të dialogut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA