Pas përkeqësimit të situatës dhe protestave ndëretnike në Maqedoni, Komisioni Europian bën thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe të vlerave të bashkëjetesës në vend.

Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit për Zgjerim Shtefan Fyle, shprehu në fillim keqardhjen e thellë për pesë viktimat e krimit të rëndë që tronditi vendin, para se të lavdëronte autoritetet për menaxhimin e situatës.

“Ne jemi në dijeni të shqetësimeve që pasuan pas këtyre vrasjeve, në Shkup dhë në rrethinat e tij dhe ne vlerësojmë dhe lavdërojmë menaxhimin e kujdesshëm të situatës nga policia lokale. Dua t’iu them diçka drejt për drejt njerëzve në vend, pasi është shumë e rëndësishme që ata ta dinë që ne e kuptojmë dhimbjen, zemërimin dhe emocionin e tyre, por është shumë e rëndësishme që ata të mbështesin autoritetet dhe policinë në punën e tyre për gjetjen e autorëve dhe në hetimin e këtij krimi”, deklaroi Stano.

“Është gjithashtu shumë e rëndësishme që në vend të mbizotërojë qetësia, që të gjithë të ruajnë qetësinë, duke mos ngarkuar me fajësi para kohe apo duke bërë vetëgjyqësi. Lidhur me këtë, partitë politike të të gjitha komuniteteve kanë përgjegjësitë e tyre dhe ishte e rëndësishme që të gjithë shprehën keqardhje për këtë krim”, vijoi ai.

Stano deklaroi gjithashtu se Komisioni po qëndron në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë partnerët e BE-së në Maqedoni dhe jashtë saj dhe se vijon të ndjekë nga afër zhvillimet në vend.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA