KFOR-i ka refuzuar të publikojë informacione nëse ka në plan të ndërmarrë operacione në veri të Kosovës, pas ngjarjeve të fundit të regjistruara në këtë zonë.
“Siç e dini, KFOR-i nuk flet publikisht për çështjet operacionale”, ka deklaruar shkurt zëdhënësi Uve Nowitzki për agjencinë kosovare “Kosovapress”.
Ai ka refuzuar t’i përgjigjet edhe pyetjes nëse do të ndërmerren operacione për konfiskimin e armëve në zonën problematike të shtetit të ri.
Nowitzki ka nënvizuar vetëm se KFOR-i mbetet i vendosur për të siguruar një ambjent të qetë e të sigurtë për të gjithë Kosovën, për të gjithë banorët e saj.
Por pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të KFOR-it se është i gatshëm të përballet me çdo situatë, strukturat paralele serbe vazhdojnë të kryejnë atentate dhe të intimidojnë banorët shqiptarë.
Situata në veri të Mitrovicës, e banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar. Pas sulmit me bombë të dy javëve më parë në banesën e familjes Haradinaj, të shtunën pasdite një tjetër shqiptar u sulmua nga një grup personash në Lagjen e Boshnjakëve.
Në takimin e Komitetit Lokal për Siguri Publike në Mitrovicë, kryetari i komunës, Avni Kastrati tha se situata është mjaft e ndërlikuar dhe e tensionuar, edhe pse gjatë ditëve të fundit nuk ka patur incidente të rënda.
Top Channel