Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ftoi autoritetet shtetërore të Maqedonisë që të mos bien nën ndikimin e strukturave të caktuara të cilët duan destabilizimin e Maqedonisë dhe rajonit.

Duke komentuar incidentet e fundit në Maqedoni, kryeministri kosovar shtoi se incidente kriminale ndodhin në çdo vend të botës, por politika e ka për detyrë të qendroje mbi to duke mos u dhënë konotacion politik apo ndëretnik.

“Mesazhi im është për urtësi dhe tolerancë ndërqytetare, ndëretnike që të punohet sa më shpejt për integrime në strukturat e BE-së dhe NATO. Unë kam dërguar edhe telegram kryeministri Gruevski ndaj mesazhi im për të gjithë qytetarët e Maqedonisë është për paqe, për stabilitet dhe në asnjë rrethanë të mos lejohet që politika të bëhet pre e atyre individëve apo strukturave të cilët e duan destabilitetin e Maqedonisë dhe rajonit. Prandaj përkushtimi i qeverisë së Kosovës është dhe i imi, është në shërbim të mirëkuptimit të uljes së tensioneve ndëretnike dhe përderisa  të flasë drejtësia askush në asnjë incident nuk ka të drejtë të pretendojë t’i japë konotonacione ndëretnike”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Sa i përket paralajmërimit të strukturave paralele serbe se do të organizohen zgjedhjet lokale në tri komunat Veriore me apo pa pëlqimin e Beogradit, Thaçi tha se do të përdoren mekanizmat kushtetues për parandalimin e këtyre përpjekjeve. Ai bëri të ditur se është takuar me autoritetet e OSBE-se për të mundësuar pjesëmarrjen e serbëve në votimet e zgjedhjeve parlamentare.

“Do të lehtësohet pjesëmarrja në votim por jo organizimi të zgjedhjeve të lira për zgjedhjet dhe pastaj ato kuti nga një organizatë ndërkombëtare të barten në Serbi, por jo hapjen qendrat e votimit nga Serbia në Kosovë, por qendra lëvizëse të OSBE-së”, tha Thaçi.

Këto komente Thaçi i bëri pas inspektimit të punimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës i cili i është dhënë me konçesion kompanisë “Limak” nga Turqia. Autoritetet kontraktuese thanë se punimet të cilat po bëhen në ndërtimin e terminalit të ri, do ta shndërrojnë aeroportin e Prishtinës në më të mirin në Ballkan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA