Në Kosovë ka vazhduar edhe të martën botimi i letrave në  lidhje me cështjen e interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Bllokimi i projektit për ndërtimin e autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri, nga ana e kryeministrit Sali Berisha, shkruan gazeta “Zëri”, në masë të madhe ka shqetësuar edhe përfaqësuesit e bankës gjermane KFË, të cilët janë edhe donatorë të projektit në fjalë.

Kryeredaktori i gazetës “Zëri”, Astrit Gashi pas reagimit të Shkëlzen Berishës djalit të kryeministrit të Shqipërisë,  i cili ka mohuar dhe e ka quajtur gënjeshtër artikullin e së hënës në këtë gazetë, ka thënë se e vetmja mënyrë për të demantuar shkrimet është zhbllokimi i procesit nga Qeveria në Shqipëri dhe një hetim i pavarur i cili do të tregonte se çfarë ka ndodhur.

Astrit Gashi, Kryeredaktor i Gazetës “Zëri”, Kosovë:

“Në tërësi mendoj se e vetmja mënyrë që Qeveria e Shqipërisë, në këtë rast, të demantojë hulumtimin e “Zërit” është që të zhbllokojë këtë projekt, së pari, dhe së dyti, që të bëjë një hetim të pavarur se për çfarë arsye është bllokuar ky projekt që një kohë të gjatë. Shumë gjëra do të dalin në pah nga një hetim i tillë”.

Sipas Gashit shkrimi është i mbështetur në fakte të mbeshtetura në më shumë se dy burime.

Astrit Gashi / Kryeredaktor i Gazetës “Zëri”, Kosovë:

“Duhet opinion shqiptar në tërësi të dijë që është e përjashtuar çfarëdo ndikimi politik, apo çfarëdo ndikimi i biznesit në raportimin tonë. Dhe se synimi i gazetës “Zëri” ka qenë që ta raportojë të vërtetën, të sensibilizojë opinionin dhe më në fund Kosova, para së gjithash, të shpëtojë nga kjo kurth shumëvjeçare e ngritur nga bizneset serbe në lidhje me energjetikën”.  

Gazeta “Zëri” gjatë së martës ka publikuar korrespodencën mes ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe drejtorit të bankës gjermane, Roland Siller. “Shqetësimet e ngritura meritojnë vëmendje. Ne dy herë kemi arritur në Tiranë, për të diskutuar personalisht me OST, rreth rezultatetit të tenderit të transmisionit 400 kilovoltësh me Kosovën”, thuhet në letrën që drejtori Siller i ka dërguar ministrit Bode. Më tej në letër thuhet se “në pozicionin e financuesit Banka Gjermane, KFË, monitoron nga afër gjithë procesin e tenderit”. Po ashtu, drejtuesit e bankës i kanë rikujtuar ministrit Bode se dallimi mes kompanisë që e ka fituar tenderin dhe kompanisë tjetër që kanë qenë konkurrente është tepër i dukshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA