“Presidenti, jo nga politika”

16/04/2012 20:00

Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës zgjidhet nga Kuvendi. Në mungesë të konsensusit, në raundin e katërt dhe të pestë, Presidenti mund të zgjidhet edhe me vetëm 71 vota.

Për shumëkënd, ky është një moment i pastër politik. Por në Komitetin shqiptar të Helsinkit, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Vjollca Meçaj mendon se Parlamenti apo Presidenti janë struktura të shtetit.

Për të, mbivendosja e partisë mbi shtetin është partitokraci. Në këtë rast, zonja Meçaj flet për një deformim.

“Një koleg ndërkombëtar e quante “diktaturë me zgjedhje”, kurse unë do ta quaja “diktaturë me rotacion” sa kohë që në Shqipëri nuk ka as zgjedhje të lira. Kur merr të drejtën e qeverisjes, ti nuk qeveris në emër të partisë, qeveria është e të gjithëve. Edhe të atij që s’të ka votuar ty. Nga kjo pikpamje gjërat janë të ndara me njëra-tjetrën. Ti mund të jesh kryetari i partisë, por nuk mund të bësh në krye të shtetit cfarë do ti”, thotë Meçaj.

Zonja Meçaj kujton specifikën e zgjedhjes së presidentit, si një propozim i 20 deputetëve në cilësinë e tyre si përfaqësues të popullit dhe jo si përfaqësues të grupeve parlamentare.

Prandaj, thotë zonja Meçaj, zgjedhja e presidentit nuk është çështje e asnjë partie politike, por është çështje e të gjithë vendit, e të gjithë shtetasve.

Ajo evokon të drejtën e shoqërisë civile për të qenë pjesë e këtij diskutimi. Dhe në këtë kuadër, vizaton profilin e një presidenti me integritet, me njohuri juridike dhe sidomos, ekstrapolitik.

“Në këtë stad zhvillimi që ne kemi më duket e vështirë që një njeri që vjen nga jeta e gjallë politike dhe që është shumë i evidentuar me forcën e tij politike një ditë të bukur, brenda 24 orëve, vetëm pse u bë presidenti apo presidente e republikës të ndryshojë qëndrimin e vet, performacën e vet. Mbase edhe do ta dëshërojë, por do ta ketë të vështirë në mënyrë objektive ta bëjë një gjë të tillë”, nënvizon Meçaj.

“Nuk e marr përsipër që t’i vë një emër profilit që sapo bëra. Ka struktura të specializuara për këtë. Por, nëse na kërkohet, pa tjetër që do të japim edhe emra. Por jo kështu, për të bërë konsum emrash”, vijon ajo.

Në një tjetër apartament të vogël, ku është vendosur Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, profesoresha e të drejtës kushtetuese Aurela Anastasi është në të njëjtën gjatësi vale.

“Ne jemi në rrjet, po të na kërkohet, mund të japim emra në konsultë edhe me organizata të tjera të shoqërisë civile”, thotë Anastasi. Por zonja Anastasi nuk e përjashton mundësinë e një presidenti politik. Mjafton që të respektohet proçedura kushtetuese. Që për të do të thotë konsensus.

“Të paktën nga pikëpamja formalo-juridike është mjaft i legjitimuar me një proçedurë të bazuar mirë në Kushtetutë. Fryma e Kushtetutës është natyrisht për konsensus, sepse ajo e paraqet Presidentin e Republikës si një institucion qëndror mjaft të rëndësishëm për ruajtjen e balancës së pushteteve dhe natyrisht si përfaqësues të unitetit të popullit, kërkon që të ketë një konsensus sa më të gjerë për zgjedhjen e tij”, nënvizon Anastasi.

Sa i takon sfidave të presidentit të ardhshëm, të dyja zonjat e shoqërisë civile janë në një emërues të përbashkët. Sfida më e madhe do të jetë sfida me sistemin e drejtësisë.

“Presidenti, duke qenë kryetar i KLD-së, ka një rol të rëndësishëm për t’u bërë interlokutor midis pushtetit gjyqësor dhe pushteteteve të tjera për të zgjidhur balancën dhe pavarësinë e njëri-tjetrit”, thotë Meçaj.

“Lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në fushën e drejtësisë, si kryetar i KLD-së, pra i pushtetit të gjyqësorit”, vlerëson Anastasi. Të dyja zonjat mendojnë se Presidentit të adhshëm duhet të mbajë gjallë frymën aktuale të mirëkuptimit mes mazhorancës dhe opozitës, si edhe të ruajë ekuilibrin mes institucioneve kushtetuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA