Inflacioni në nivelin më të ulët

15/04/2012 19:30

Që pas nëntorit të vitit të kaluar inflacioni ka rënë me ritme të shpejta duke arritur në shkurt, një nga vlerat më të ulëta historike prej 0.6 për qind.

Në fillim, ngadalësimi i çmimeve ka qenë i lidhur kryesisht me zhvillimet në tregjet globale, duke pasqyruar më së shumti tkurrjen e çmimeve për artikujt ushqimor.

Por, dy muajt e fundit ecuria e çmimeve po sinjalizon një tjetër dukuri. Në mars, norma e inflacionit qëndroi sërish në nivelet më të ulëta, vetëm 1 për qind, pavarësisht rritjes së fortë tek çmimi i naftës dhe shtrenjtimi i disa artikujve ushqimorë.

Kjo do të thotë se tani rënia e çmimeve në treg nuk është më e lidhur me zhvillimet në tregjet globale apo me faktorë të përkohshëm, por po vjen për shkaqe të brendshme të ekonomisë, që lidhen kryesisht ecurinë e kërkesës në treg.

Qytetarët ulin shpenzimet

Në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, inflacioni bazë, ku nuk përfshihen produktet me luhatshmëri të lartë çmimesh, si nafta apo ushqimet,  ishte 3 për qind. Në tremujorin e katërt shifra ra në 2.5 për qind, ndërsa në shkurt të këtij viti ky tregues u tkurr edhe më shumë, në vetëm 1.7 për qind.

Ekonomistët thonë se inflacioni bazë është i lidhur direkt me ecurinë e konsumit në ekonomi, pasi ai e pastron indeksin e çmimeve nga lëvizjet e përkohshme.

Tkurrja e tij në dy muajt e parë të vitit, sinjalizon se qytetarët mund të kenë ulur edhe më shumë shpenzimet për konsum duke e detyruar biznesin të frenojë çmimet.

Në fakt, kërkesa për konsum ishte e dobët edhe vitin e kaluar. Sipas Instat, indeksi i shitjeve me pakicë shënoi në 2011-ën një nga normat më të ulëta historike të rritjes, vetëm 0.2 për qind. Por, vitin e kaluar kërkesa e ulët në tregun e brendshëm u kompesua në një pjesë të mirë nga rritja e e fortë e eksporteve.

Këtë vit, kjo nuk po ndodh. Në dy muajt e parë të vitit, eksportet jo vetëm që nuk u rritën por ranë, sipas shifrave zyrtare, me 20 për qind në terma vjetorë.

Në këto kushte, nëse kërkesa e brendshme do vijojë të mbetet e ulët edhe gjatë muajve në vijim, ekonomia mund të ndrydhet edhe më shumë nga kriza dhe biznesi do detyrohet të shkurtojë të tjera kosto, përfshirë edhe ato të punësimit.    

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA