Urdhër-arrestet ndërkombëtare të nxjerra nga drejtësia italiane kanë çuar në prangosjen e një tjetër shqiptari të dënuar nga gjykatat e vendit fqinj.
Policia ndaloi shtetasin 39-vjeçar, Sokol Murati, sërish në qytetin e Fierit ku pak ditë më parë u ndalua Fatmir Kajolli, edhe ky i dënuar nga drejtësia italiane, por që në seancën gjyqësore, gjykata vendosi masën e arrestit shtëpiak, pavarësisht kërkesës së prokurorisë për arrest me burg deri në ekstradimin e tij drejt Italisë.
Murati u ndalua në banesën e tij në lagjen “Kastrioti” të qytetit të Fierit. 39-vjeçari është dënuar me 30 vjet burg për organizim dhe pjesëmarrje në organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe prostitucion.
Ky ishte arrestimi i radhës për llogari të drejtësisë italiane, i disati brenda pak ditësh në Vlorë, Tiranë dhe Fier. Dy arrestime në rrethin e Vlorës ku në pranga përfundoi Erion Cenaliaj i dënuar me 25 vjet burg në Itali dhe Ali Islamaj, i dënuar për “grabitje me dhunë”, në Tiranë, Ergys Ferhati, dënuar me 20 vjet burg në Itali për trafik lëndësh narkotike dhe shfrytëzim prostitucioni.
Por më i bujshmi nga të gjithë këto arrestime ka qenë ai i Fatmir Kajollit nga policia e Fierit. Ai jetonte i qetë prej vitesh në Shqipëri, madje ishte i angazhuar edhe në politikë e njihej në qytet si biznesmen. Në politikë ai ushtronte detyrën e këshilltarit bashkiak të Partisë Republikane në Fier, edhe pse ishte dënuar nga drejtësia italiane që në vitin 2002 me 16 vjet burg dhe 160 mijë euro gjobë me akuzën e trafikut të drogës.
Por përse të gjithë këta persona u arrestuan pikërisht tani? Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani e shpjegoi këtë me mungesën e marrëveshjes reciproke me Italinë, marrëveshje e nënshkruar pak kohë më parë.
Nishani tha se lista e dërguar nga Interpoli i Romës është e gjatë dhe hodhi përgjegjësi edhe mbi prokurorinë për vonesën në arrestime. Megjithatë, Prokuroria ia kaloi sërish ‘topin’ Policisë së Shtetit.
“Personat që janë në kërkim ndërkombëtar shpallen si të tillë nga Zyrat Kombëtare të Interpolit të cdo vendi. Zyra Kombëtare e Interpolit Tiranë, e cila është pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit shqiptar, disponon për pasojë në listat e plota dhe të detajuara, të gjithë emrat e personave në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Top Channel