
Me dhjetëra persona kanë mbetur të vrarë në periferinë e qytetit sirian të Homsit, në atë që është përshkruar nga aktivistët si një prej masakrave më të mëdha ndonjëherë.
Lajmin e konfirmuan të enjten burime të opozitës siriane në mërgim. Ato flasin për të paktën 44 viktima, të gjithë pjestarë të pak familjeve që kanë ngritur krye kundër regjimit. Sipas të dhënave, u ekzekutuan nga ushtria 20 antarë të një familjeje dhe 16 të një tjetre.
Një ditë më parë, të mërkurën, shefja për çështjet humanitare e OKB-së, Valeri Amos, vizitoi Homsin dhe informoi se pjesë të tij janë të shkatërruar plotësisht.
”Shkatërrimi është me të vërtetë i madh. Disa pjesë të Homsit janë tërësisht të rrafshuara me tokën dhe nuk guxoj të imagjinoj se çfarë mund të ketë ndodhur me njerëzit që kanë jetuar në ato zona”, deklaroi Amos.
Masakra përbën një raprezalje të qartë të ushtrisë ndaj rebelëve në Homs, një vatër e kryengritjeve 1-vjeçare kundër regjimit autoritar të presidentit Bashar al-Assad. të dhënat e raportuara nga grupet siriane në diasporë nuk mund të verifikohen, për shkak të mungesës së raportimeve zyrtare dhe të pranisë së gazetarëve në terren.
Sipas vlerësineve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 7 500 persona kanë vdekur në Siri që prej fillimit të trazirave në mars 2011, por grupe të ndryshme flasin për një shifër deri dy herë më të lartë të viktimave.
Dezerton zyrtari i lartë në qeveri
Zv/ministri i Naftës në Siri është zyrtari i parë i rangut të lartë që braktis qeverinë e presidentit Bashar al-Assad dhe i bashkohet revoltës opozitare.
Ai bëri publik vendimin e tij nëpërmjet një videoje të publikuar në Youtube, ku akuzon qeverinë për dhunën e ushtruar ndaj popullit.
“Unë Abdul Hussamedin, zv/ministër i Naftës dhe Pasurive Minerare në Siri lajmëroj distancimin tim nga regjimi. Dorëheqjen nga posti qeveritar dhe nga partia Bath. Unë i bashkohem revolucionit të popullit i cili refuzon padrejtësitë e këtij regjimi që pretendon se zotëron vendin. I them këtij regjimi se ka vetëm gjurmët e tankeve që drejtohen nga barbarizmi juaj për të vrarë njerëz”, tha ai në deklaratën e tij.
Top Channel