Një grup monitorues në Rusi e shpalli si “gjerësisht të falsifikuar” rezultatin e zgjedhjeve që rikthyen Vladimir Putin për herë të tretë në krye të shtetit.
Sipas “Ligës së Votuesve”, një organizatë e pavarur qytetare, rezultati zyrtar i zgjedhjeve është një “ofendim për shoqërinë civile”.
Sipas Ligës, fitorja e Putin llogaritet në pak më shumë se 50%, rreth 53%, por jo 63,6% siç është njohur nga Moska zyrtare. Një zëdhënës i qeverisë u kundërpërgjigj se Liga nuk kishte në dorë të dhëna të mjaftueshme për të dhënë një gjykim të saktë.
Putin mbajti edhe më parë detyrë e Presidentit të Rusisë në vitet 2000-08. Ai u largua nga Kremlini për të zbritur në detyrën e kryeministrit, pasi kushtetuta nuk e lejonte një mandat të tretë radhazi presidencial. Megjithatë, disa ndryshime kushtetuese lejuan Putin të rikthehet në krye të shtetit, në të njëjtën kohë që kohëzgjatja e mandatit është shtuar nga katër në gjashtë vjet.
Fitorja e Putin u njoh nga komuniteti ndërkombëtar, por vëzhguesit evidentuan një sërë manipulimesh në favor të tij gjatë procesit zgjedhor. Protesta të përditshme janë regjistruar që prej ditës së dielë, ndërsa 550 protestues janë arrestuar, shumica e të cilëve janë liruar pas 24 orësh.
Top Channel