Anders Behring Breivik, i cili ka pranuar vrasjen e 77 personave dhe plagosjen e 151 të tjerëve në Norvegji, është ngarkuar zyrtarisht me akuzën e terrorizmit.
Avokatët mbrojtës informuan 32-vjeçarin për akuzat e reja të ngritura kundër tij në burgun ku ai ndodhet, pranë Oslos.
Ndonëse pranoi akuzat, një komision mjekësh argumentoi se Breivik ishte mendërisht i sëmurë dhe këshilloi që ai të mbyllej në një spital psikiatrik, në vend të një burgu. Një vendim i tillë ngjalli pakënaqësi të madhe në vend, për faktin se autori i kësaj masakre që tronditi vendin po ia hidhte me ndëshkimin minimal.
Gjykata e Lartë i kërkoi rrjedhimisht rishqyrtimin mendor të Breivik dhe tashmë ndaj tij janë ngritur edhe akuzat e terrorizmit. Gjyqi i tij pritet të fillojë në 16 prill dhe sipas ekspertëve, ngritja e akuzave të reja është një taktikë e prokurorisë, për të siguruar dënimin e tij maksimal.
”I pandehuri ka kryer krime jashtëzakinisht të rënda, të një përmase që nuk ishte e njohur më parë në shoqërinë tonë të kohëve moderne”, deklaroi prokurori Svein Holden.
Duke folur nga burgu ku mbahet Breivik, ai informoi se 32-vjeçari e kishte pritur qetësisht lajmin e akzuave të reja të ngritura kundër tij.
I vetëdeklaruar një “kryqëtar” kundër islamizmit dhe emigrantëve si dhe pjesëtarë e grupeve neonaziste, Breivik vrau gjatë korrikut të 2011, 77 persona nëpërmjet një arme automatike dhe bombe, në një sulm të motivuar nga urrejtja racore.
Përpara gjykatës, ai shprehu më vonë se nuk është penduar për aktin, i konsideruar sipas tij i domosdoshëm për të ndërgjegjësuar norvegjezët për rrezikun që vinte nga emigracioni dhe muslimanizmi.
Top Channel