Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për herë të parë planin për të vrarë amerikanë që komplotojnë atentate kundër vendit të tyre.
Prokurori i përgjithshëm Eric Holder deklaroi se shtetasit amerikanë që jetojnë jashtë vendit mund të shënjestrohen me “forcë vdekjeprurëse” nëse do të konstatohet një kërcënim.
Administrata Obama ishte kritikuar nga grupet për të drejtat civile pas vrasjes së klerikut islamik amerikan Anwar al Awlaki në shtator të vitit 2011.
Por zoti Holder deklaroi se Shtetet e Bashkuara ishin “në luftë”, kështu që aprovimi i gjykatës nuk ishte i nevojshëm.
Në një fjalim në shkollën e drejtësisë në Çikago, Holder tha se përdorimi i forcës vdekjeprurëse do të kontrollohet nga ligjet e luftës, por ndonjëherë qeverisë i duhet të veprojë me shpejtësi, duke mos pasur kohë për të kërkuar miratimin e gjykatës.
“Autoritetet civile dhe ushtarake shpesh herë duhet të marrin vendime të shpejta që të balancojnë nevojën për të vepruar, ekzistencën e alternativave të tjera, mundësinë për dëme anësore dhe pika të tjera”, deklaroi zoti Holder.
“Secila nga këto varet nga ekspertiza dhe aksesi imediat tek informacioni që vetëm Dega Ekzekutive mund të disponojë në atë moment”, nënvizoi sekretari i Drejtësisë.
Ai tha më tej se forca duhet të përdoret vetëm nëse objektivi është një eksponent i Al Kaedës apo i një organizate të varur prej saj, nëse nuk është e mundur që të arrestohet, në mënyrë që të shmanget lëndimi i personave të tjerë.
Top Channel