Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e nisi konferencën e përmuajshme për shtyp në Bruksel, me kujtimin e trupave të rënë në detyrë, në misionin e Aleancës në Afganistan.
“Këto javët e fundit në Afganistan kanë qenëveçanërisht të vështira. Dua t’i shpreh keqardhjen më të thellë familjeve dhe të afërmve të trupave tona që u vranë apo u plagosën gjatë dhunës së fundit. Këta burra trima ishin në Afganistan për të ndërtuar një të ardhme më të sigurtë,dhe ç‘do sulm mbi trupat tona përbën një sulm mbi të ardhmen e Afganistanit”, tha Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Pasi dënoi vrasjet Rasmusen garantoi ndëshkimin e fajtorëve dhe shpjegoi se kishte kërkuar garanci nga Presidenti Karzai për ndaljen e dhunës. Sekretari i Përgjithshëm përshëndeti edhe marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe përparimin e kësaj të fundit si vend kandidat në BE.
“Mirëpres marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës mbi përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale. Ky është një hap përpara dhe tregon se rruga drejt të ardhmes vjen nëpërmjet dialogut. Mirëpres gjithashtu vendimin e Bashkimit Europian për të shpërblyer Serbinë me statusin kandidat. Kjo është një shenjë progresi”, tha Anders Fogh Rasmussen.
Sekretari i Përgjithshëm shtoi se dëshiron që një ditë, i gjithë Ballkani të jetë i integruar në familjen euro-atlantike.
Pergatiti: Arta Tozaj
Top Channel