Berlini zyrtar reagoi me ashpërsi ditën e martë, ndaj disa deklaratave të Presidentit të Bjellorurisë, i cili sulmoi Ministrin e Jashtëm Gjerman për prirjet e tij seksuale.
Lukashenko pati deklaruar më parë se “është më mirë të jesh një diktator se sa një homoseksual”, duke iu referuar ministrit Guido Westerwelle, i martuar në fillim të vitit me partnerin e tij.
Deklarata e Lukashenkos erdhi pasi Westerwelle deklaroi se ai ishte “diktatori i fundit i mbetur në Europë”.
Zëdhënësi i Kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert, i konsideroi deklaratat në fjalë si “goditëse”, ndërsa theksoi se ato nuk kanë nevojë për koment dhe se tregojnë qartë llojin e regjimit që Minsku zyrtar ka imponuar mbi vendin e Europës Lindore.
”Është interesant pohimi i Lukashenkos, që pranon se është një diktator”, shkruante deklarata e Berlinit zyrtar.
Nga ana e tij, Westerwelle theksoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet fushata për të kërkuar më shumë të drejta të njeriut dhe demokraci për popullin bjellorus.
Marrëdhëniet midis Bashkimit Europian dhe Bjellorusisë arritën një nivel të ulët historik në muajin shkurt, kur Brukseli zgjeroi në 160 zyrtarë listën e shtetarëve bjellorusë “non-grata”.
Zgjedhjet presidenciale të vitit 2011 në Bjellorusi u konsideruan si gjerësisht të manipuluara.
Top Channel