Irani kërkon bisedime me superfuqitë

06/03/2012 15:10

Gjashtë superfuqi dhe Irani do të mbajnë bisedime të afërta rreth programit bërthamor të Teheranit, informoi kryediplomatja europiane, Catherine Ashton.

Shefja e marrëdhënieve ndërkombëtare të BE-së lajmëroi të martën se i është përgjigjur pozitivisht një ftese të Iranit, për t’u ulur rreth një tryeze së bashku me pesë shtetet me të drejtë veto në OKB, plus Gjermaninë.

Letra është dërguar nga negociatori irianian, Saeed Jalili, por asnjë datë apo vend nuk është caktuar ende për mbajtjen e kësaj tryeze.

Lëvizja vjen ndërsa zërat për një goditje ushtarake për shkatërrimin e qëndrave bërthamore iraniane bëhen gjithmonë e më të shpeshta. Teherani këmbëngul se po bazohet tek energjia nukleare vetëm për arsye civile, por fuqitë perëndimore dyshojnë se vendi aziatik është duke ndërtuar armë të shkatërrimit në masë.

Në përgjigjen e saj, Baronesha Ashton përfshiu edhe shpresën se “ky është një hap i parë, për përfshirjen në një dialog të qëndrueshëm dhe rezultativ, i cili do të shënojë një progres real rreth shqetësimeve afatgjata të komunitetit ndërkombëtar mbi programin bërthamor të Iranit”.

Ashton shtoi se: “qëllimi i bisedimeve është që të arrihet një dialog i frytshëm, në mënyrë që të rikthehet besimi ndërkombëtar se programi iranian ka si qëllim eksluziv zhvillimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore”.

Në një lëshim të mëparshëm, Irani pranoi që të hapë qëndrat e tij bërthamore për inspektorët e Agjensisë Ndërkombëtare Bërthamore të OKB-së. Ndonëse për vizitën do të vendosen kushte, për inspektorët do të jetë e rëndësishme të hetohet në qendrën e Parçinit, në jugun e vendit, ku dyshohet se po avancohet në programin e armatimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA