
Komandanti i marinës amerikane në Lindjen e Mesme paralajmëron
Uashingtonin për përpjekjet e disa prej vendeve të rajonit për të
zmbrapsur praninë e anijeve të Shteteve të Bashkuara.
Sipas mediave amerikane, gjenerali James Mattis gjithashtu thotë se kërcënimet që vijnë nga Irani dhe vende të tjera të rajonit kërkojnë më shumë anije dhe kapacitete mbrojtëse detare në Lindjen e Mesme.
Shqetësimet e tij kreu i Komandës Qendrore amerikane i ka përmbledhur në një dëshmi, të cilën do ta paraqesë më vonë gjatë ditës në Senat. Një kopie e dëshmisë në fjalë është siguruar nga agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press”.
Gjenerali Mattis flet për kërcënimin që vjen nga Siria, e cila sipas tij ka një kapacitet të madh armatimesh kimike dhe biologjike, si dhe mijëra raketahedhëse. Deri tani, ushtria amerikane ka refuzuar të bëjë një vlerësim të kapaciteteve të armatimit që presidenti sirian Bashar al Aassad dhe regjimi i tij ka në dispozicion.
Bashkë me gjeneralin, në Senat do të dëshmojë më vonë gjatë ditës së sotme edhe admirali William McRaven, shef i Komandës së Operacioneve Speciale. Seanca në fjalë do të pasohet nga një tjetër në Komitetin e Shërbimeve Ushtarake që do të mblidhet gjatë javës.
Komentet e Mattis vijnë pasi administrata Obama u takua me liderët izraelitë këto ditë për të diskutuar mbi përshkallëzimin e rrezikut iranian dhe mundësinë e një sulmi paraprak nga Izraeli.
Duke iu referuar shkurtimit prej 500 miliardë dollarësh të buxhetit të Pentagonit në dekadën e ardhshme, Mattis thotë se SHBA duhet ta përdorin marinën dhe operacionet speciale për të pasur një prani të vogël por të fortë ushtarake në Lindjen e Mesme, për t’i bërë ballë luftës eventuale në Iran dhe asaj në Afganistan.
McCain: SHBA të nisin bombardimet në Siri
Duke theksuar se është koha për një politikë të re mbi Sirinë, senatori i njohur republikan John McCain deklaroi të hënën se Shtetet e Bashkuara duhet të nisin bombardimet ajrore ndaj forcave të presidentit Bashar al Assad, në përpjekje për të mbrojtur civilët nga ofensiva e përgjakshme njëvjeçare e regjimit.
“Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin një përpjekje ndërkombëtare për të mbrojtur popullatën në Siri, sidomos në veri të vendit, përmes sulmeve ajrore ndaj forcave të Assad”, deklaroi McCain, senatori më i lartë republikan në Komitetin e Shërbimeve Ushtarake të Senatit.
“Për të qenë i qartë, kjo do të kërkojë që Shtetet e Bashkuara të neutralizojnë mbrojtjen ajrore të armikut në të paktën një pjesë të vendit”, nënvizoi McCain, që në javët e fundit ka bërë disa herë apel për një aksion nga Shtetet e Bashkuara.
McCain tha se synimi kryesor i sulmeve ajrore do të jetë stabilizimi dhe krijimi i disa zonave të Sirisë, ku kundërshtarët e Assad të mund të organizohen dhe të planifikojnë aksionin e tyre politik dhe ushtarak.
“Gjithashtu, duhet të ketë organizime për shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe ushtarake, përfshirë armë e municione, tanke dhe pajisje mbrojtëse, inteligjencë taktike, pajisje komunikimi, ushqime, ujë dhe ilaçe”, theksoi McCain.
“Pas një viti gjakderdhjeje, kriza në Siri ka arritur në një moment vendimtar. Për Shtetet e Bashkuara pyetja nuk duhet të jetë më, nëse forcat e huaja duhet të ndërhyjnë ushtarakisht në Siri. Të jemi të sigurtë se fqinjët e Sirisë do të bëjnë të njëjtën gjë, në mos e kanë bërë”, shtoi senatori republikan.
Kofi Annan të shtunën në Damask
I dërguari i posaçëm i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Annan, do të mbërrijë më 11 marsin e ardhshëm në Damask për t’u takuar me autoritetet siriane. Lajmin e ka bërë të ditur televizion panarab Al Jazira, që citon sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Nabil al Arabi.
Në ditët e fundit Liga Arabe dhe Kombet e Bashkuara kishin shprehur hidhërimin e tyre për faktin se autoritetet siriane vazhdonin të mos i përgjigjeshin kërkesës për të takuar Annan në Damask.
Ndërkohë, një shpërthim në lindje të vendit ka dëmtuar një naftësjellës në rajonin Dair az Zor. Lajmin e bëjnë të ditur aktivistë të Komisionit të revolucionit sirian, që akuzojnë forcat e regjimit si organizatore të sabotimit. Shpërthimi, që ka dëmtuar një segment të naftësjellësit, ka ndodhur në afërsi të Kurajasë, pak kilometra nga Dair az Zor, rajon i Eufratit.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka mbajtur një komunikim me mediat ku ka raportuar edhe për situatën në Siri. “Aleanca po e ndjek nga afër dhe me vëmendje situatën në Siri dhe e vlerësojmë si tepër të rëndë atë që po shohim”, ka deklaruar Rasmussen.
Top Channel