Dy kontrollorë të trafikut hekurudhor në Poloni do të procedohen për vrasje nga neglizhenca, pasi ekzistojnë prova se ishte mungesa e vigjilencës së tij në punë ajo që shkaktoi përplasjen midis dy trenave në fundjavë.
Në incident mbetën të vrarë 16 persona, ndërsa 50 të tjerë u plagosën. Polonia është aktualisht duke mbajtur dy ditë zie për këtë tragjedi, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se ishte një gabim njerëzor që shkaktoi aksidentin.
Dy kontrollorët janë marrë në pyetje, për të shpjeguar rrethanat që çuan të dy trenat të udhëtonin në të njëjtin binar në drejtime të ndryshme, në aksidentin e ndodhur pranë qytetit të Krakovës. Në bazë të ligjit polak, nëse do të shpallen fajtorë për akuzën e vrasjes nga neglizhenca, ata mund të dënohen deri në tetë vjet burgim.
Të dy trenat u përplasën mbrëmjen e së shtunës në Poloninë jugore. Aksidenti ndodhi në linjën Varshavë-Krakovë, në afërsi të qytetit të vogël të Shçekocinit. Ngjarja tragjike u regjistrua pasi një prej dy trenave, të cilët transportonin të dy pasagjerë, ishte futur në rrethana ende të paqarta në binarët e gabuar.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, e konsideroi ngjarjen si “më tragjiken në shumë vite”. Ai mbërriti në vendngjarje së bashku me tre Ministra të kabinetit.
Të dy trenat, me dhjetë vagona në total, po transportonin 350 udhëtarë së bashku në momentin e incidentit. Në shkurt, në një aksident të ngjashëm hekurudhor, 51 persona gjetën vdekjen në Argjentinë.
Top Channel