Zëdhënësi i talebanëve pakistanezë lajmëroi për shkarkimin e numrit dy të organizatës, një shenjë që tregon qartë luftën në rritje për pushtet brenda ekstremistëve fetarë.
Burime brenda talebanëve i thanë BBC-së ditën e hënë se Maulvi Faqir Mohammad, i konsideruar si numri dy i organizatës në Pakistan, u ul në hierarki pas një mbledhjeje të këshillit të lartë taleban ditën e dielë.
Megjithatë, asnjë arsye nuk është dhënë për këtë ndryshim në strukturën e grupit. Mohammad nuk është zëvendësuar ende në funksionin që kryente.
Zëdhënësi i talebanëve pakistanezë, të njohur ndryshe si Tehrik-e-Taliban Pakistan ishte ai që kontaktoi BBC për t’i dhënë lajmin. Ai shtoi se kryesia pritet t’i besojë së shpejti Mohammad një tjetër rol brenda organizatës.
Sipas ekspertëve, një lëvizje e tillë është provë për betejën e ashpër që po zhvillohet për pushtet brenda grupit, me talebanët që janë përçarë në fraksione që prej vrasjes së liderit të mëparshëm, Baitullah Mehsud, në gusht 2009.
Mohammed ka udhëhequr talebanët në krahinën e Bajaurit, në veri të vendit. Besohet se ai i ka ofruar strehim disa liderave të mëdhenj të al-Kaedës, midis të cilëve edhe njeriun që ka marrë në dorë organizatën pas vrasjes së Bin Ladenit, Ayman al-Zawahiri.
Top Channel