Evangjeli Gjoka është 24 vjeç. Vuan nga gjendra e tiroides dhe për këtë i është nënshtruar 3 herë biopsisë. Thotë se ndërhyrja me instrument në masën e dyshimtë ka qenë shumë e dhimbshme, i është shkaktuar një hematomë e përveç kësaj rezultati s’ka qenë i qartë.
E konsideruar si një nga ekzaminimet më të vështira dhe me shumë dhimbje për pacientin, biopsia është aplikimi që përdor aktualisht mjekësia për identifikimin e masave tumorale. Ka njerëz që madje refuzojnë t’i nënshtrohjen analizës.
Por, një lajm fantastik vjen nga teknologjia, e cila biopsinë e ka zëvendësuar tanimë me një aparaturë shumë të thjeshtë, e ngjashme me ekografinë. Eva sapo ka dëgjuar për risinë dhe është drejtuar tek Klinika Ortodokse e Ungjillizimit, e vetmja që zotëron këtë pajisje unike në Shqipëri.
“Erdha sepse kam dy vite që kam probleme me tiroiden. Më thanë që duhet të bëja biopsi, por ishte shumë e dhimbshme procedura dhe gjithashtu përgjigjet dilnin me vonesë”, thekson Eva.
“Të gjithë e dimë se të futësh një gjilpërë në organ do të thotë dhimbje, vështirësi për doktorin dhe pacientin, gjithashtu do të thotë komplikacione”, shprehet profesor Pavlos Zubulios.
Zubulios, president i shoqatës greke të imazheristëve, e konsideron elastografinë rrugën virtuale të biopsisë. Një pajisje që ekzaminon me saktësi formimin e masave të dyshimta në organizëm: “Elastografia është një teknikë e re e imazherisë, një rrugë e re për të parë detaje në brendësi të trupit njerëzor. Të gjithë e dimë se si përmes imazherisë, ekove, mund të ekzaminojmë shumë sëmundje, nga koka tek këmbët. Elastografia vjen për të dhënë një informacion më të detajuar në të gjithë këto raste mjekësore. Ajo studion dhe llogarit elasticitetin dhe fortësinë e gjendrave.”
Për më tepër saktësia e rezultateve të nxjerra përmes elastografisë, është shumë e madhe: “Ne mund te perdorim elastografinë duke shmangur aplikimin e biopsisë. Kështu mund të sigurohemi mjaftueshëm që këto masa janë malinje apo beninje dhe mund ta drejtojmë pacientin për trajtim mjekësor, kirurgjikal apo ndonjë lloj trajtimi tjetër.”
Ashtu si në një ekografi, përmes kësaj teknologjie të fjalës së fundit mund të shihet çdo lloj sëmundjeje në trup. Përparësia e elastografisë është se ajo heq dyshimet mbi masat tumorale, pa patur nevojën e depërtimit në organizëm.
“Kjo do të thotë që mund të dallojmë mirë malinjin nga beninji, pa nevojën e një gjilpëre, pa dhimbje dhe kjo vetëm duke përdorur një ekografi thuajse të zakonshme”, shton Zubulios.
Është e jashtëzakonshme mundësia e ekzaminimit përmes elastografisë, pasi ajo sheh dhe studion mirë çdo organ të trupit, edhe ato më delikatet, që mund të mos ta përballojnë dot një biopsi.
“Të gjithë e dimë sesa të rëndësishme janë sëmundjet kronikë të mëlçisë, apo ciroza. Ato janë raste shumë të përhapura në Shqipëri dhe në Ballkan. Për të bërë një diagnozë të saktë të tyre, e vetmja mundësi që kemi pasur deri tani ka qenë biopsia e mëlçisë. Por, kjo do të thotë një gjilpërë që hyn në trup drejt saj, shtrim në spital, kosto e lartë për sistemin shëndetësor dhe vetë pacientin. Por, me elastografinë tani mund ta shmangim këtë. Mund të kemi një informacion të saktë për çrregullimin e mëlçisë dhe cirozën vetëm duke përdorur elastografinë”, shpjegon Zubulios.
Kjo aparaturë e sofistikuar është një gjetje e rëndësishme edhe për evidentimin e sëmundjeve të gjirit për gratë.
“Ka një vlerë të rëndësishme edhe për diagnostikimin e sëmundjeve të gjirit. Është një metodë shumë e thjeshtë dhe komode për pacientët dhe ndihmon në rritjen e saktësisë së diagnozës”, shpjegon Roland Hasa.
Nëse Evangjelia i druhej biopsisë së tiroides, jo vetëm për shkak të dhimbjeve, ajo ka pasur një argument të fortë për këtë. Mjekja imazheriste Albana Shahini shpjegon: “Tiroidja ka në afërsi shumë elementë të rëndësishëm anatomikë dhe biopsia e tiroides ka risqet e veta.”
Një lajm i mirë për pacienten, dyshimet e së cilës janë shuar pa më të voglën sakrificë që do të duhej të bënte në rastin e biopsisë.
“Jam shumë e lumtur sepse me një ekzaminim shumë të thjeshtë merr një p[ërgjigjë shumë të rëndësishme”, tregon Eva.
Elastografia, ko pajisje që tanimë gjendet edhe në Tiranë ne Klinikën orthodokse Ungjillizimi, siguron saktësi në marrjen e informacionit, pa dhimbje për pacientin dhe për më tepër rezultati i diagnozës merret në kohë reale.
“Ekzaminimi zgjat vetëm disa minuta dhe gjithë ky informacion vjen në sytë e doktorit shumë thjeshtë dhe pa dhimbje. Me elastografinë tani mund të tejkalojmë biopsinë dhe gjithë metodat tradicionale të ekzaminimit të tumoreve. Pa ndërhyrë me instrumente në trup dhe ç’është më e rëndësishme, pa shkaktuar dhimbje”, sqaron doctor Zubulios.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme ndër avantazhet e elastografisë, është kostoja. Diagnoza kushton shumë herë më pak se shpenzimet për biopsinë dhe mund të krahasohet me çmimin e një ekografie të zakonshme.
Top Channel