Sulmi ndaj Iranit? SHBA kontakte me Izraelin

11/02/2012 00:00

Shtetet e Bashkuara po mbajnë kontakte me zyrtarë të lartë izraelitë dhe po ndjekin nga afër mundësinë e një sulmi të Tel Avivit kundër Iranit për programin e tij bërthamor.

Zëri i Amerikës thotë se zyrtarët amerikanë shpresojnë që Izraeli t’u japë më shumë kohë sanksioneve të Perëndimit për të dhënë efektin e tyre ndaj Repulikës Islamike.

Izraeli e konsideron kërcënim madhor për ekzistencën e vet, programin bërthamor të Iranit, po kështu dhe SHBA, që është shprehur gjithnjë kundër Teheranit.

“Amerika është e vendosur të parandalojë Iranin në përpjekjet për të siguruar armë bërthamore. Unë nuk përjashtoj asnjë alternativë në përmbushjen e këtij synimi”, deklaroi presidenti amerikan Barack Obama.

Kjo deklaratë lë të hapur mundësinë e një ndërhyrje ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Aleatëve të saj kundër Iranit. Por hipoteza tjetër është ajo e një sulmi ajror izraelit ndaj bazave dhe centraleve bërthamore për të vonuar procesin e ndërtimit të bombës atomike nga ana e Iranit.

Nga ana tjetër, Irani mohon se me programin e tij bërthamor po synon ndërtimin e një bombe bërthamore. Teherani zyrtar thotë se programi i tij është për qëllime paqësore.

Top Channel