
Pas dështimit të votimit të rezolutës së Ligës Arabe në Këshillin e Sigurimit, ku mori veton e Rusisë dhe të Kinës, vëmendja është zhvendosur drejt Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga ku Perëndimi po përpiqet të nxjerrë akte të cilat do të ushtrojnë trysninë e duhur ndaj autoriteteve siriane për të ndalur dhunën ndaj qytetarëve të saj.
SHBA dhe aleatët europianë janë vënë në dijeni të një projekt/rezolutë të Arabisë Saudite ku u bëhet thirrje të gjitha palëve për dhënien fund të dhunës në Siri.
Rezoluta është e njëjtë me atë të rrëzuar nga Kina dhe Rusia në KS, por ka një klauzolë ku kërkon dërgimin e një të dërguari të posaçëm nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në terren.
Asambleja pritet të mblidhet për të diskutuar propozimin saudit ditën e hënë, kur edhe do t’i dorëzohet Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Navi Pillay. Megjithatë, votimi i projekt/rezolutës nuk parashikohet të mbahet po këtë ditë.
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një rezolutë mund të kalojë edhe me shumicë të thjeshtë votash, pasi nuk ka të drejtë vetoje, por rezolutat e këtij insitucioni nuk kanë detyrim ligjor në të drejtën ndërkombëtare, sikundër ato që dalin nga Këshilli i Sigurimit.
Vazhdon bombardimi në Homs
E ndërsa komunitetit ndërkombëtar vazhdon debatet për mënyrën se si mund të ndalet dhuna në Siri, dhuna e regjimti të Assad kundër protestuesve në Homs vazhdon.
Aktivistë të të drejtave të njeriut janë bërë dëshmitarë të dhunës cnjerëzore kundër civilëve në këtë qytet.
“Ka me qindra të plagosur në spitale dhe në kampin Bab Amro për të cilët kujdesen dy mjekë dhe disa infermiere. Turp t’i vijë botës!”, shkruan në Twitter një rezident i Homs-it. “Bombardimet rinisën sot në mëngjes. Jemi nën një sulm barbar prej një jave. Linjat telefonike janë të bllokuar dhe energjia elektrike mungon”, shkruan një tjetër.
Homsi është vatra e protestave anti-qeveritare në Siri, ku dhe janë regjistruar viktimat më të shumta. Vetëm në javën e fundit raportohen mbi 100 të vdekur, pjesa më e madhe e tyre civilë, ndërkohë që Damasku zyrtar fajëson “grupet terroriste” të armatosura që veprojnë në zonë.
Top Channel