Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu ka deklaruar se një sulm ushtarak ndaj Iranit do të ishte një katastrofë.
Deklaratën e tij, Davutoglu e bëri nga Uashingtoni, ku komentoi zërat që kanë qarkulluar në media e më gjerë për një sulm ndaj Republikës Islamike nga Izraeli.
“Një sulm ushtarak do të ishte një katastrofë. Sulmi nuk duhet të jetë një opsion, sidomos duke parë momentin historik që po kalon rajoni”, ka thënë Davutoglu.
Shefi i diplomacisë turke ka shtuar se Ankaraja zyrtare nuk do ta mbështesë “kurrën e kurrës” opsionin e një ndërhyrjeje ushtarake.
Hipotezat për zbatimin e opsionit në fjalë kanë shkaktuar reagime të shumta në mbarë botën, si në Perëndim ashtu edhe në vendet islamike.
Vetë Irani kërcënoi Perëndimin duke deklaruar se do të vërë në shënjestër cdo vend nga i cili do të kryhet një sulm kundër tij. Duke iu referuar Izraelit, Teherani zyrtar e cilësoi atë si “një tumor që duhet eleminuar”.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli konfirmuan partneritetin dypalësh në qëndrimet e tyre kundër programit bërthamor të Iranit.
Ndërkohë që presidenti Barack Obama, përmes një urdhëri ekzekutiv, ngriu të gjitha asetet e qeverisë iraniane në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Top Channel