Siri, shtohen viktimat

10/02/2012 03:50

Bilanci i një dite të vetme bombardimesh në Homs është rritur frikshëm, nga 13 në gati 100 të vdekur.

Një sulm i ri me mortaja e raketa u ndërmorr mbi qytetin e goditur pa pushim që prej të premtes së shkuar teksa qeveria vazhdon përpjekjet për shkatërrimin e forcave rebele. Viktimat që prej fillimit të bombardimeve, llogariten me qindra.

Homsi, qyteti i tretë më i madh i Sirisë ka qënë një prej vatrave kryesore të rebelimit 11 mujor ndaj sundimit të presidentit Bashar Al Asad. Shefi i OKB-së Ban Ki Moon e dënoi ashpër “brutalitetin tronditës” të dëshmuar në Homs.

“Një dhunë e tillë është e papranueshme në sytë e njerëzimit. Sa jetë do të duhet të sakrifikohen për të frenuar këtë rrezikshmëri drejt luftës civile dhe konfliktit sektar? Kemi dëgjuar shumë premtime të shkelura, edhe përgjatë 24 orëve të kaluara. Jam i bindur se përkeqësimi i situatës në Siri nuk do të lërë pa prekur edhe pjesën tjetër të rajonit”, tha Ban Ki Moon.

Komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të gjejë një mënyrë për zgjidhjen e krizës pasi Rusia dhe Kina bllokuan me veton e tyre rezolutën e hartuar nga shtetet arabe dhe ato europiane, ku kërkohej largimi i Assadit nga pushteti.

Sulmi mbi Homsin, i nisur orët e vona të së premtes, është përqëndruar tek lagjet e kontrolluara nga rebelët. Më të ashpra bombardimet kanë qënë mbi zonën Baba Amr, ku vetëm të mërkurën u vranë 50 vetë.

Sipas korespondentëve të huaj, në këtë lagje ka rebelë të armatosur, por ka edhe shumë civilë. Operacione të vazhdueshme ushtarake kundër kryengritësve janë raportuar edhe ne qytetin verior të Idlibit, në provincën jugore të Deraas, në Zabadani si dhe në veri të Damaskut.

Top Channel