Një numër shpërthimesh kanë tronditur qytetin e dytë më të madh në Siri, Alepon.
Sipas Televizionit Shtetëror, dy shpërthime të ndryshme kanë shkaktuar një numër të madh viktimash, përfshi disa ushtarë, në qytetin verior. Sipas raportimit zyrtar, “bandat e armatosura” ishin përgjegjëse për këtë sulm terrorist.
Ndërkohë, opozita siriane kundërshton raportin zyrtar, duke thënë se shpërthimet ishin tre.
Megjithatë, ndërsa për ta është ende e paqartë se cilat janë rrethanat e vërteta të këtij sulmi, informohet se trupa të shumta qeveritare kishin rrethuar qytetin prej disa ditësh.
Pas vetos ruso-kineze që ruajti Sirinë nga masat të reja shtrënguese më parë gjatë javës, dhuna ka regjistruar një përshkallëzim dramatik në vend. Megjithatë, Alepo kishte qenë një “oaz” relativ paqeje, në revoltat e nisura në mars të 2011.
Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se gjashtë mijë persona kanë humbur jetën në konfliktin që po merr gjithmonë e më shumë trajtat e një lufte civile.
Megjithatë, raporte të tjera paralele flasin për një gjendje edhe më dramatike, me numrin e viktimave që mund të jetë deri dy herë më i lartë.
Top Channel