Moska: Britania, forca speciale në Siri

10/02/2012 17:25

Forca speciale të Britanisë së Madhe dhe Katarit po veprojnë në territorin sirian, ka deklaruar zëvendësministri i Jashtëm rus, Mikhail Bogdanov.

Deklarata e Bogdanov për agjencinë e lajmeve “Itar-Tass” vjen pas zërave të qarkulluar në ditët e fundit në mediat ndërkombëtare në këtë drejtim.

I menjëherëshëm ka qenë reagimi i Londrës zyrtare përmes Foreign Office. “Britania e Madhe nuk ka trupa në terren në Siri”, ka deklaruar një zëdhënës për agjencinë e lajmeve “ANSA”.

Ndërkohë, të paktën 13 persona janë vrarë sot në Aleppo dhe një numër i pacaktuar të tjerësh kanë mbetur të plagosur nga zjarri i hapur nga forcat e sigurisë për të shpërndarë manifestuesit.

Lajmin e bëjnë të ditur aktivistët e të drejtave të njeriut, sipas të cilave vrasjet janë regjistruar në lagjet kryesore të qytetit, Firdaus, Marge dhe Kalasa.

Po nga të shtënat e trupave qeveritare, rreth 40 civilë në Meze, lagje e Damaskut ku po mbahej një korte anti-regjim, kanë mbetur të plagosur, shtojnë burimet.

Ndërsa më herët ishte raportuar për 39 të vdekur në Homs, edhe këtu si pasojë e ofensivave qeveritare kundër fraksioneve të rezistencës popullore.

Një mjek fliste për mbi 30 trupa të pajetë të mbërritur në një spital të improvizuar në lagjen Bab Amro, prej ditësh e kthyer në skenë masakrash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA