Kryeministri italian, Mario Monti nuk pranon të pajtohet me idenë se kriza e borxhit grek ekspozoi dobësinë e euros si monedhë dhe i bëri thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar të tregohet zemërbutë me shtetin Helen në diskutimet e dorëzanisë.
“Vetëm kështu, tha Monti gjatë fjalimit në Institutin Peterson për Ekonomi në Shtetet e Bashkuara, do të arrihet të shmanget një shpërthim i vërtetë ekonomik”.
“Të mos harrojmë se euro ka qënë jashtëzakonisht e qëndrueshme deri në fillimin e krizës së borxhit në Europë në 2010-ën. Të gjithë e kanë mendjen tek kjo krizë, por mendoj se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo nuk është një krizë e euros. Euro vetë ka qënë mjaft solide si monedhë. Edhe pse shumë vende të eurozonës janë prekur nga kriza, ajo vetë nuk është lëkundur dhe kjo tregon shumë për elasticitetin e saj strukturor, institucional dhe atë të politikave të përbashkëta”, deklaroi Monti.
Apeli i drejtuar FMN-së për të ndihmuar Greqinë i referohej dhe faktit që në këtë mënyrë, fondi do të ndihmojë në parandalimin e një ngërci ekonomik edhe më të rëndë se ky i tanishmi.
“Sipas arsyetimit tim, shumë prej nesh në Europë, përfshi vendet anëtare që janë tradicionalisht në anën e maturisë dhe disiplinës, besojnë se ky është momenti kur duhet kthyer faqe e kur duhet asgjësuar rreziku i një shpërthimi të madh”, shtoi Monti.
Në Athinë qeveria dhe partitë ranë dakord për modalitetet e faljes së borxheve dhe pranimin e programit të ri të kursimeve. Por Greqia nuk shpëton as me këto vendime. Analistët i shohin zhvillimet e fundit nga njëra anë si rezultat të pavendosmërisë së BE-së, për ta trajtuar sic duhet problemin e Greqisë, dhe nga ana tjetër, si rrjedhojë e paaftësisë së pashembullt të politikës greke për të konceptuar zgjidhje të arsyeshme.
Top Channel