Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, deklaroi se vendi i tij nuk do të përkrahte asnjë nismë të njëanshme ushtarake të Izraelit për zgjidhjen e çështjes iraniane.
Deklarata e Sarkozy erdhi gjatë një mbrëmje të organizuar nga shoqata më e madhe hebrehe në Francë, ku midis të ftuarve ishte edhe kandidati tjetër për presidentit, Francois Hollande.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur edhe më parë frikën se Tel Avivi mund të jetë duke planifikuar një goditje mbi reaktorët bërthamorë në pranverë, por Sarkozy qartësoi se zgjidhja nuk mund të jetë asnjëherë “ushtarake”.
”Zgjidhja duhet të jetë politike dhe diplomatike. Sanksionet janë një mjet i mirë që po japin efekt. Në këtë mënyrë, i themi liderave të vendeve përkatëse që e kanë kaluar kufirin. Sidoqoftë, asnjë shtet në botë nuk duhet të përfshihet në një konflikt të armatosur, pa një konsensus më të gjerë botëror”, theksoi Sarkozy.
Teherani, i cili më parë ka lëshuar thirrje për shkatërrimin e Izraelit, këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore, por ky pretendim është hedhur poshtë edhe nga Agjensia Bërthamore e OKB-së, e cila ka gjetur gjatë inspektimeve programe kompiuterike dhe pajisje që përdoren vetëm për të ndërtuar armë atomike.
Sarkozy, gjithashtu shtoi se Izraeli ka nevojë për një Palestinë paqësore si aleat, ndërsa u përpoq të përmirësojë raportet e tij me Kryeministrin Netanyahu, të cilin e konsideroi si një “burrë shteti me cilësi admiruese”.
Më parë gjatë 2011-s, Presidenti i Francës dhe ai i SHBA-ve, Barack Obama, u kapën duke thënë një koment sikletosës për Netanyahun, gjatë një takimi dypalësh, me bindjen se mikrofonat ishin të fikur.
Top Channel